ATSH/ Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka si dhe një delegacion biznesi nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Republikën Domenikane.

Të pritur nga konsulli i nderit për Shqipërinë, José Manuel Romero, ky delegacion biznesi ka zhvilluar një sërë takimesh zyrtare apo kontakte me biznesin e këtij vendi.

Kryetari i DHTI-së, Jaka tha se qëllimi i kësaj vizite është vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta me biznese të këtij vendi dhe parja e mundësive të bashkëpunimit sidomos në sektorin prodhues.

Në takimin që kishin me kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Santo Domingos, Manuel Sued Luna u fol për mundësitë konkrete të bashkëpunimit që konsistonin në hapjen e ndërmarrjeve prodhuese nga sipërmarrërit shqiptarë e që më pas të mund të eksportojnë.

Për të qenë sa më konkret në këtë bashkëpunim krerët e të dy dhomave nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të vijuar më tej komunikimin konkret mes bizneseve të të dy vendeve.

Një takim tjetër i delegacionit të biznesit ishte në Ministrinë e Jashtme të Republikës Domenikane, ku u pritën nga zv.ministri i këtij institucioni, Hugo Rivera. /j.p/