ATSH-DPA/- Kryeministri australian Scott Morrison paralajmëroi 270 miliardë dollarë australianë (190 miliardë dollarë amerikane) shpenzime shtesë në sektorin e mbrojtjes gjatë dekadës së ardhshme.

Përmirësimi i mbrojtjes përfshin blerjen e armëve të avancuara të sulmeve me rreze të gjata veprimi, për herë të parë, si dhe testimin e armëve hipersonike.

”Njoftimi, i cili është pjesë e përditësimit strategjik për mbrojtjen, sinjalizon një ndryshim thelbësor në qëndrimin mbrojtës të Australisë, pasi i jep përparësi rajonit Indo-Paqësor”, tha Morrison, duke paralajmëruar se bota pas pandemisë do të bëhet më e rrezikshme.

“E vërteta e thjeshtë është kjo. Edhe nëse luftojmë koronavirusin, duhet të përgatitemi për një botë postCovid që është më e varfër, më e rrezikshme dhe më e çrregulluar”, theksoi kryeministri.

Morrison tha se Australia nuk ka parë një pasiguri të tillë ekonomike dhe strategjike në rajon që nga Lufta e Dytë Botërore.

Njoftimi vjen pasi marrëdhëniet e Kanberras me Pekinin, partnerin e saj më të rëndësishëm ekonomik, janë nën tension, me akuza për spiunazh dhe sulme kibernetike.  /os/