TIRANË, 26 qershor /ATSH – I. Vata/- Këshilli i Lartë i Prokurorisë në seancën plenare miratoi projektaktet për caktimin e përkohshëm të prokurorëve në Elbasan, Kukës, Lushnjë, Fier, Tiranë dhe Durrës.

KLP zhvilloi sot seancën plenare me pjesëmarrjen e 8 anëtarëve, ndërsa mungonte Nurihan Seiti.

Pas diskutimeve, KLP miratoi 6 projektakte për caktimin e përkohshëm të Kreshnik Ajazit aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan si drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, Rita Gjatit aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës si drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, Arben Dylës aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë si drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parē Lushnjë, Violeta Shkurtës aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier si drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

Po ashtu, Arta Marku prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, caktohet që përkohësisht të ushtrojë funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

KLP miraton me shumicë votash projektaktin për caktimin e përkohshëm të Alma Bramo, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, në funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

ATSH