TIRANË, 16 qershor /ATSH/- Fermerët po vijojnë aplikimet për të përfituar nga fondet që jep buxheti i shtetit si mbështetje për sektorin bujqësor përmes Skemës Kombëtare 2020.

Drejtori i Bujqësisë në bashkinë Korçë, Vullnet Gjalla i tha sot ATSH-së se, “në qarkun e Korçës 75% e fermerëve kanë aplikuar deri tani në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, për të përfituar financim për blegtorinë që mbarështojnë për tufat bazë e krerët e lopëve dhe të të imtave të matrikulluara”.

Sipas tij, 1100 fermerë janë asistuar nga ekspertët e bujqësisë Korçë për aplikimin në Skemën Kombëtare.

“Fermerët aplikojnë individualisht online në e-Albania, me zero dokumente në programin e qeverisë për të përfituar mbështetje financiare të drejtëpërdrejtë nga 7 masat e Skemës që përfshijnë: blegtorinë, bletarinë, bimët medicinale, certifikimin Global Gab, prodhimin bio, në sera dhe agroturizëm”- tha Gjolla.

Nga të dhënat paraprake, u shpreh ai, ka një interes të shtuar të fermerëve për të përfituar nga masa e mbështetjes në blegtori por nuk mbeten pas edhe bimët mjekësore e bletaria.

“75% e fermerëve kanë aplikuar për blegtori, 20% për bimë mjekësore të tjerë për bletari”- theksoi Gjolla.

Aplikimet në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, vijojnë deri më 19 qershor 2020.

ATSH