TIRANË, 25 qershor /ATSH/- Unaza e re Lumalas-Melçan-Porodinë është një tjetër projekt i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore, në shërbim të zhvillimit bujqësor dhe turistik të Korçës.

Bashkia Korçë bëri të ditur se, rikonstruksioni i plotë i 3 kilometër rrugë në këtë aks të rëndësishëm, do të përmirësojë lëvizjet e transportit dhe aksesin në tokat bujqësore për banorët e këtyre fshatrave.

Aktualisht po punohet në hedhjen e shtresës së asfaltit, që përmbyll plotësisht punimet në rikonstruksionin e plotë të këtij aksi rrugor.

Ky investim i paraprin degëzimit të parashikuar në një fazë të dytë punimesh, i cili do të lidhë këtë segment me Teqenë e Melçanit.

Unaza Lumalas – Melçan – Porodinë shtrihet në perëndim të qytetit të Korçës, në distancë rreth 10 km nga Korça. Rruga lidh fshatrat Lumalas, Melçan dhe Porodinë me rrugën nacionale Korçë – Pogradec.
Gjendja e rrugës ndër vite ishte shumë e dëmtuar dhe jashtë parametrave normalë të qarkullimit. Kjo unazë do të lehtësojë qarkullimin urban dhe në të dyja drejtimet e saj lidhet me rrugën kombëtare.
Ndërsa sot rikonstruksioni i saj shërben si nyje lidhëse për pjesën veriore të Korçës me fshatin turistik të Voskopojës. Rehabilitimi i këtij aksi sipas standardeve më të mira, përmirëson aksesin në këtë zonë me prodhim të lartë bujqësor, kushtet për tregtimin e produkteve vendase si dhe cilësinë e jetës së banorëve.
ATSH