TIRANË, 8 gusht /ATSH/ “Kamila Fruit” është një pikë grumbulluese në Fushë-Krujë, e modernizuar me teknologjinë më të fundit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, publikoi sot në rrjete sociale pamje nga kjo pikë grumbullimi, teksa shihet edhe kryerja e një sërë proceseve të automatizuara me produktet e magazinuara të mollës.
“Nëpërmjet dixhitalizimit të pikës së grumbullimit, procesit të automatizuar, përmirëson performancën dhe ofron për konsumatorin një produkt, me shije, cilësi, si dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, shkruan Krifca.
Adelina Ziza përfaqësuese e kompanisë, thotë se, “në këtë pikë grumbullimi magazinohen prodhime të ndryshme bujqësore. Këtu gjenden dhoma frigoriferike të ndara, ku aktualisht janë magazinuar sipas llojit mollë, të cilat ruhen në kushtet e temperaturës përkatëse që kërkojnë”.
Sipas saj, kompania ka arritur suksesin e garantuar të shërbimit, falë investimeve në teknologji që garantojnë ruajtjen 99% të vlerave të frutit të mollës.
“Ne po aplikojmë ruajtjen me azot, që sot është fjala e fundit në standardet e magazinimit”, u shpreh Ziza, teksa shtoi se në ambientin e dytë të kompanisë, kryhen një sërë procesesh nga larja e produktit, tharja, fshirja, kalibrimi, paketimi ku bëhen gati për të dal në treg për shitje apo për eksport. /j.p/