ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ndërkohë që vendet rreth e rrotull kanë rritur çmimet e energjisë për konsumatorin apo janë duke përgatitur rritje çmimesh ne i kemi qëndruar një ideje fikse se do ti bëhemi mburojë konsumatorit familjar dhe biznesit te vogël”.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët Kryeministri Rama duke u ndalur tek kriza energjetike tha se “mbase është e udhës ta nis nga fakti botërisht i njohur i një krize energjetike globale që po sfidon të gjitha shtetet dhe i një dallge të tërbuar të çmimeve që së fundi kanë arritur në 450 euro për megavat, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm kemi lëvizur në një mesatare prej 100 euro për megavat nga 85, 92, 100 deri në 120. 450 euro për megavat është çmim marramendës. Po të kemi parasysh totalin vjetor kemi lëvizur në 50 eruo për megavat”.

“Kjo krizë, të cilën unë e kam paralajmëruar disa kohë më parë dhe paralajmërimi u komentua si një alarm fals nuk duket se ka fund të qartë pasi është folur për qershorin, por askush sot nuk mund ta konfirmojë këtë fakt apo këtë hipotezë. Ndërkohë që kompleksiteti i krizës shkon nga gjeopolitika tek efekt e ndryshme klimaterike”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se “ndërkohë që flasim po zhvillohet një dëgjesë e ministres Balluku me disa përfaqësues të kompanive që janë të lidhura me tensionin e mesëm për te cilat liberalizmi i plotë në këto kushte do të thotë rritje eksponenciale e çmimit”.

Ne, vijoi Rama, po përgatisim edhe për ta një skemë lehtësuese.

“Pse po ia dalim të qëndrojmë në këto parametra sepse e kemi adresuar krizën me një reformim të skemës së furnizimit. Deri tani jemi besimplotë se së paku për periudhën deri ne qershor, ndërkohë që parashikojmë edhe një efekt lehtësues pa qenë sot në mundësinë për të qenë të saktë në sa do të jetë efekti lehtësues mbi rajonin, rreth muajve mars- prill”, shtoi Rama.

Rama u shpreh se “do vazhdojmë t’i mbrojmë konsumatorët familjarë”.

“Qeveritë gjykohen për atë që ndodh, por në afatmesëm e afatgjatë vlerësohen edhe për atë që nuk lejohen të ndodhë. Për mua, moslejimi i rënies së dallgës së kësaj krize mbi konsumatorin familjar, mbi bizneset e vogla dhe kompanitë që funksionojnë në biznesin e mesëm është një nga punët e kësaj qeverie shumë të re që ka edhe 4 vjet përpara”.

Më tej Rama tha se “mjafton të shikoni Kosovën, e cila është në kthetrat e një krize që për arsye objektive sipas meje pa dashur të hyjë në arsye të tjera që mund të jenë të lidhura nga politika të caktuara në vite është mbërthyer nga kthetrat e krizës.  Kjo për të gjithë ata që thoshin nuk ka krizë është përpjekje për të devijuar vëmendjen”.

“Sot jemi në gjendje jo vetëm të garantojmë furnizimin me energji për qytetarët, kompanitë, ta bëjmë këtë jo vetëm pa kufizime, por edhe pa rritje çmime. Dhe ti japim Kosovës mundësinë që dy ditët që ndajnë vitet dhe janë festë popullore të kenë furnizim të pandërprerë me energji. Nuk është diçka fare e lehtë, por mendoj e besoj që në sëkëlldira të mëdha e gëzime duhet të ndajmë me Kosovën atë që kemi”, theksoi Rama.

Duke u ndalur tek adresimi i problemit të energjisë në afat të gjatë Rama tha se “ambicia jonë e shpallur është që brenda kësaj dekade, në vizionin Shqipëria 2030, Shqipëria të kalojë në eksportues neto të energjisë, në një vend që garanton veten dhe shet energji tek të tjerët duke bërë një kapërcim epokal.”

“Si do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë duke rritur kapacitet; duke zgjidhur problemin e trashëguar dramatik të hedhjes së parave bashkë me ujin, kur nuk kemi mundësi të rezervojmë ujë për ditët e thata, gjë që do të na e mundësojë ndërtimi i Skavicës që është në proces; duke vënë në punë më në fund me një skemë të re dhe një kompani të madhe amerikane TEC e Vlorës; duke diversifikuar prodhimin e energjisë me parqet fotovoltaike dhe burimet e erës, gjëra që janë në proces dhe duke rritur kapacitetin e prodhimit nga uji ku jemi duke vlerësuar një projekt të madh, që do të shtojë ndjeshëm kapacitetet”, nënvizoi Rama.

Rama tha se “të gjitha këto do të bëjnë që në të futemi në rrugën e një transformimi epokal sa i përket sektorit elektroenergjetik dhe energjia të kthehet nga një problem dhe një burim shqetësimi në një sektor që pompon zemrën e ekonomisë shqiptare”.

/k.s/ /j.p/