TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vizitoi sot Universitetin e Sporteve të Tiranës, për të uruar një vit të mbarë e të suksesshëm për të gjithë studentët dhe pedagogët.

Gjatë takimit me studentët e këtij universiteti Kushi tha se “erdha t’iu uroj dhe përgëzoj për degën që keni zgjedhur”.

“Ju jeni në universitetin më unik që ka Shqipëria, Universitetin e Sporteve. Ne si Ministri e Arsimit dhe Sportit i integrojmë të dyja dhe i nxisim shumë nxënësit, të rinjtë, studentët që të merren me sportin. Se si do të jetë sporti në të ardhmen dhe si do të zhvillohet kjo varet nga ju, prandaj mësoni fort. Keni një staf të përkushtuar e profesionist shfrytëzoni të gjitha mundësitë që nesër të jeni e ardhmja e sportit shqiptar”, tha Kushi.

Kushi tha se e rëndësishme është që për studentët ne të ofrojmë më të mirën, të ofrojmë mësim të rregullt.

Ministrja Kushi vizitoi sot më herët edhe Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Elbasan.

/k.s/