1 700 000 dokumente pronësie tashmë do të jepen online brenda 3-5 minuta, pasi të kryhet pagesa.
Artan Lame, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, ditën e enjte, ka bërë të ditur se tashmë përmes portalit “e-Albania” mund të kryhet aplikimi online për të marrë dokumentet e pronësisë, duke eliminuar radhët dhe kontaktet fizike mes qytetarëve dhe sportelistëve.
“Sistemi në letër ka ekzistuar që prej vitit 2014, por nuk është përdorur dhe pikërisht në funksion që t’i linte punonjësve të kishin kontakt fizik me qytetarët. Ne morëm sistemin dhe përmes bashkëpunimit me AKSHI-n e fuqizuam, e pasuruam me dokumentet e pronësisë, duke e bërë të vlefshëm”, tha ai.
“Ka tre elementë të rëndësishëm për jetën e qytetarit: Ku merret shërbimi? Kur merret shërbimi? Cilësia e shërbimit?” – tha Lame.
“Për pjesën e “KU” merret shërbimi, është shërbimi online, “Kur” është ajo që po rregullojmë sot, pra nëse qytetari arrin të paguajë me kartë ose në telefon, përgjigjen e merr brenda 5 minutave. Cilësia e shërbimit? Në këtë moment duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria sot numëron 4 100 000 prona, 1 700 000 prona janë regjistruar dhe për këtë pjesë të pronave, merret 3-5 minuta pas pagesës, për pjesën tjetër po punohet, por do të merret online, por nuk do merret brenda 3-5 minuta, por pasi ta përpunojnë drejtoritë vendore, por s’do ketë sërish kontakt me publikun”, – tha Lame.
“Mbetet një shteg, kur kategori të veçanta të qytetarëve do detyrohen të kenë sërish takim me ne, dhe këtu do mbeten sportele shumë të vogla, për histori dhe probleme që duhet të hapësh dosjen me qytetarin e ta diskutosh. Nga dita e nesërme për 1.7 milionë prona shërbimi është: paguaj dhe e merr brenda 3-5 minutash. Ndërkohë për pronat e tjera, shërbimi do jetë sërish online, por kohëzgjatja e përgjigjes do jetë nga 7-21 ditë”, – tha Lame.
Ai u shpreh se Agjencia e Kadastrës ka gjetur 50 milionë dokumente pronësie. “Kadastra ka trashëguar 50 milionë dokumente që duhen hedhur në sistem. Me këtë metodikë do hedhim në sistem dhe një pjesë të madhe të këtyre dokumenteve, 12 milionë prej tyre. Ajo që duhet të bëjmë tani është vijimi, pra përfshirja dhe atyre pasurive që nuk janë hedhur ende”, – shtoi Lame.
“Çdo ditë jemi duke diskutuar me AKSHI-n dhe me bankat, pasi sot pagesa bëhet vetëm me dy banka dhe duam që në ditët në vijim qytetarët të kenë mundësi të bëjnë pagesën nga të gjitha bankat”, – tha ai.
“Siguria e informacionit është shumë e rëndësishme, sepse ka qenë varri i mijëra rasteve të pronësisë. Kadastra është magazinë, nuk është gjykatë, Kadastra magazinon raste të mbyllura dhe të qarta. Ke një letër ku ke aplikuar dhe ke një datë dhe merr përgjigjen. Ruajtja e privatësisë është totale, sepse nuk ka persona në mes. E fundit, sa më shumë sistemet hapen, aq më shumë bëhen të hapur ndaj sulmeve kibernetike”, – tha ai.
“Ne kur kemi shpluhurosur sistemin online gjetëm 1 600 – 1 700 përdorues të panoteruar, pra jashtë sistemit, kjo me qëllimin që mos të jepte sistemi kush kishte bërë ndërhyrje. Nga moment që sistemi u vu nën kontroll, rreth shtatorit të vitit të kaluar, dihet se kur ka hyrë, dhe se kush ka hyrë, kur ka hyrë dhe kjo na ndihmon që kushdo që ndërhyn mban përgjegjësi për çdo ndërhyrje që bëhet”, – tha Lame.
“Certifikata e pronësisë nuk ka më kopje unike, ajo është brenda në sistem, çdo bashkëpronar merr një kopje të certifikatës së pronësisë. Po ashtu kemi një sistem online me noterët dhe është noteri që ta nxjerr certifikatën tënde. Me këtë sistem nuk ka certifikatë me vulën blu të njomë dhe firmën e drejtorit. Kjo nuk ekziston më, që e bëjnë të panevojshme vulën fizike. Shtohet rreziku nga hakerat, por kjo është detyra jonë për të ngritur blloqe mbrojtje te sistemi”, – përfundoi Lame./a.a/r.e/atsh