/ATSH-AFP/ – Qeveria britanike ka vendosur kontrolle kufitare më pak rigoroze sesa ishte planifikuar me Bashkimin Europian, pas Brexit, në mënyrë që të mos penalizojë shumë kompanitë, tashmë viktima të efekteve ekonomike të pandemisë së koronavirusit.
Britania e Madhe kishte planifikuar vendosjen e kontrolleve mbi mallrat e importuara nga Bashkimi Europian duke nisur nga viti 2021, në fund të periudhës së tranzicionit Brexit që përfundon në fund të dhjetorit.
”Qëllimi i këtyre kontrolleve ishte në mënyrë të veçantë për të ruajtur kufijtë të sigurt dhe për të trajtuar në mënyrë të barabartë vendet me të cilat tregton Britania e Madhe”, ishte shprehur qeveria në muajin shkurt.
Por, sipas “Financial Times”, ekziston një “regjim i përkohshëm më i lehtë” për mallrat e importuara nga BE në portet e hyrjes si Dover, pavarësisht nëse ka apo jo një marrëveshje me Bashkimin Europian.
Sidoqoftë, pritet që mallrat e eksportuara nga Britania e Madhe në BE të jenë subjekt i kontrolleve të plota.
Britania e Madhe po negocion me Bashkimin Europiane për të përcaktuar marrëdhëniet e tyre tregtare në përfundim të periudhës së tranzicionit, diskutime që deri tani kanë hasur pengesa./ /ec/