LONDËR, 30 qershor /ATSH-AFP/ – Prodhimi i Brendshëm Bruto pësoi një rënie prej 2,2% për shkak të impaktit nga koronavirusi në tremujorin e parë në Britaninë e Madhe, më shumë nga sa ishte njoftuar më parë dhe rënia më e madhe që prej T3 1979, sipas vlerësimit të dytë dhe të fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave.

ONS-ja kishte parashikuar më parë një kontraktim prej 2% të PBB-së në tremujorin e parë, pas një rënieje historike prej 20,4% në muajin prill.

“Në një vit, rënia e PBB-së arriti në 1,7%”, theksoi ONS.

Përballë masave të distancimit, më pas vendosjes së kufizimit nga qeveria britanike për të ngadalësuar përhapjen e epidemisë së COVID-19, ndërprerja e aktivitetit në shërbime, industri dhe ndërtim pati një ndikim negativ mbi PBB-në.

Kjo rënie e aktivitetit për sektorin, që përbën pjesën më të madhe të ekonomisë britanike u ndje veçanërisht në shpërndarje, hoteleri, transport dhe në turizëm në veçanti.

Konsumi i familjeve është kontraktuar me 2,9% mes janarit dhe marsit.

Për Howard Archer, ekonomist në EY Item Club, ky rishikim në rënie i PBB-së nxit një tkurrje më të thellë nga sa pritej në T2.

ATSH