/ Në bashkinë Malësi e Madhe, mbi 150 tonë bimë mjekësore janë eksportuar drejt tregjeve të SHBA-së dhe Gjermanisë vetëm gjatë muajit mars, ndërsa grumbullimi dhe përpunimi në këtë sektor vijon me po të njëjtin intensitet, në kushtet e masave kundër COVID-19.
Në vlerë eksportet e këtij sektori kapën shifrën e 324 mijë USD, vlerë kjo me trend pozitiv në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Malësinë e Madhe janë mbi 4,5 mijë hektarë të mbjella me bimë mjekësore. Ndërsa 4 qendrat e grumbullim përpunimit të bimëve mjekësore realizojnë të plotë të gjithë zinxhirin e shitjes sipas standardeve bashkëkohore, falë investime të realizuara nga mbështetja e programit IPARD.
“Qeveria vitet e fundit na ka ndihmuar shumë me makineri të reja sipas standardeve të kohës dhe po çojmë më tepër produkt në Gjermani dhe SHBA. Rreth 60% në Gjermani dhe rreth 40% në SHBA. Gjithashtu ne punësojmë me qindra njerëz, që sigurojnë të ardhura të kënaqshme nga ky biznes, sigurisht këtë periudhe duke respektuar masat kundër COVID-19, me doreza dhe maska”, – tha për ATSH-në, një sipërmarrës privat i këtij sektori nga Malësia e Madhe. e.xh//j.p//r.e/atsh