ATSH/- Bashkia Maliq ka filluar punën për pastrimin e kanalit të ujërave të larta në Sovjan, i cili kishte shumë vite pa u pastruar dhe për shkak të grumbullimit të sasisë së madhe të ujërave, bllokohej nga grumbullimi inerteve.

Astrit Zholani, drejtori i ujitjes dhe kullimit në Bashkinë Maliq i tha ATSH-së, se paralelisht me pastrimin e këtij kanali të rëndësishëm që vadit mbi 100 ha toka bujqësore, po bëhet edhe shtrimi i pjesëve anësore të tij, me pllaka betoni.

“Prurjet e mëdha të ujit në kanalin e nivelit të lartë, të Sovjanit, rrezikonte përmbytjen e tokave dhe të banesave në zonën për rreth këtij kanali, për shkak të bllokimit të tij nga inertet. Ekspertët e bujqësisë dhe të sektorit të ujitjes, kanë marrë masa për pastrimin e kanalit dhe sistemimin e tij në një gjatësi 1.8 km të gjatë, që i shërben parandalimit të  përmbytjeve në këtë zonë”- u shpreh Zholani.

Investimi thelbësor që po ndërmerret i jep zgjidhje përfundimtare shqetësimit të komunitetit të kësaj zone që rrezikohej herë pas hera nga  përmbytjet, theksoi ai.

Zholani tha se, këtë vit Drejtoria e Ujitje Kullimit në bashkinë Maliq, synon të pastrojë 180 km, kanal kullues nga të cilat aktualisht janë pastruar 90 km kanale ujitëse dhe kulluese dhe është parashikuar pastrimi i 300 m3 interteve, ku deri tani janë hequr 180 m3 inerte.

Drejtori Zholani, bën të ditur se, “deri në fund të këtij vit, do të jenë të përmbusha këto objektiva për sa i përket kanaleve vaditëse dhe kulluese në sektorin e bujqësisë, për zonën e Maliqit. e.xh/j.p