ATSH/-Bashkia e Maliqit njofton se po vijon punimet për rehabilitimin e rrugës që lidh fshatin Zvirinë të bashkisë së Maliqit me aksin nacional Korçë-Pogradec dhe u shërben mbi 2 mijë banorëve të këtyre zonave.

Tashmë edhe pjesa e dytë e rrugës, 2 km e gjatë e fshatit Zvirinë, në Njësinë Administrative Pirg është e asfaltuar plotësisht, ndërrsa punimet vijojnë për  rehabilimin e plotë të këtij aksi, që mundëson daljen më të shpejtë në treg të fermerëve me prodhimet e tyre si dhe zhvillimin e agroturizmit.

Fshati Zvirinë është pjesë e projektit të 100 fshatrave të qeverisë shqiptare dhe ky investim me fondet e bashkisë Maliq, është në sinkron me planin e zhvillimin të agroturizmit.

Zona nuk ka njohur investime prej vitesh, çka ka bërë që rruga të amortizohej dhe të kthehej në shqetësim për banorët e zonës pasi vështirësohej kalimi në të, por sot investimi i ndërmarrë, përfshin rikonstruksionin e saj në të gjithë gjatësinë, asfaltimin, ndërtimin e trotuareve, ndriçimin dhe gjelbërimin. /j.p/