ATSH-AFP/ – Malta i kërkoi sot Bashkimit Europian një veprim urgjent në Libi, për të shmangur një katastrofë humanitare në këtë vend të prekur nga një luftë civile dhe epidemia e koronavirusit.

Në një letër drejtuar kreut të diplomacisë europiane Josep Borrell dhe në një video të postuar në Facebook, Ministri i Jashtëm maltez, Evarist Bartolo nënvizon se më shumë se 650 000 persona presin në brigjet libiane në një situatë dëshpëruese, me shpresën për të mbërritur në Europë, ndërkohë që situata po përkeqësohet në vend.

“Ky kontekst i tmerrshëm krijon të gjithë përbërësit për një katastrofë të madhe humanitare”, theksoi Bartolo.

“Vitet e fundit Malta ka shpëtuar mijëra njerëz, përtej detyrimeve të saj ligjore, por nëse Malta lihet përsëri vetëm për të përballuar këtë krizë me përmasat e një cunami, shumë njerëz, fëmijë, gra shtatzëna dhe viktima të përdhunimit do të humbin jetën”, theksoi ai.

“Ndihma humanitare e Bashkimit Europian duhet të jetë e menjëhershme dhe e e madhe, sot dhe jo nesër”, nënvizoi Bartolo, i cili propozon një ndihmë europiane prej të paktën 100 milion euro.