TIRANË, 27 qershor /ATSH/- Prof. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” u ka bërë një apel qytetarëve për të ruajtur veten nga infektimi në këtë fazë të hapjes.
Prof. Kapisyzi thekson se mbajtja e maskës në vendet ku nuk është i mundur të ruhet distancimi social është mënyra e vetme se si mund të mbrohemi nga infektimi me COVID19, përdorimi i maskës ul në 70% përhapjen e infeksionit.
“Ndryshe nga faza e parë ku distancimi ishte elementi kryesor, në fazën e hapjes elementi kryesor është maska. Tashmë janë të vërtetuara shkencërisht që përdorimi i maskës ul në 70% shkallën e infektimit. Në këtë stad të hapjes ne kemi “dëmtuar” distancimin social, sepse hapja do të thotë edhe më pak distancim. Dhe mënyra më e mirë e mbrojtjes është maska dhe ku kemi mundësi dhe distancim social. Por pa maske ne nuk mund të mbrohemi, nëse duam ta ulim këtë valë tsunami të avashtë duhet të përdorim maskat”, tha Kapisyzi.
ATSH