TIRANË, 25 qershor /ATSH – I. Vata/- “Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit duhet të plotësojnë vakancat në SPAK dhe Gjykatën e Lartë”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, pas raportimit në Kuvend të punës së këtyre institucioneve nga drejtuesit e tyre.
Manja tha sot se “për herë të parë raportuan në Kuvendin e Shqipërisë dy organet e reja të sistemit të Drejtësisë, KLP apo qeveria e sistemit të drejtësisë penale dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor që menaxhon sistemin gjyqësor dhe që sigurisht në ndryshim nga KLP ka kompetenca me të gjera sepse përveç sistemit të karrierës së gjyqtarëve ka edhe menaxhimin e sistemit. Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kushtetuta i ka dhënë kompetencë vetëm sistemin e karrierës në prokurori, ndërsa pjesën e menaxhimit të sistemit e ka detyre funksionale Prokurori i Përgjithshëm dhe për Strukturën e Posaçme Atikorrupsion drejtuesi i SPAK”.
Manja vlerësoi punën e KLP dhe KLGJ, pasi në një periudhë të shkurtër ngritën institucionet e reja të drejtësisë.
“Në fakt të dyja këto raportime në Komisionin e Ligjeve kanë qenë raportime që i janë nënshtruar pyetjeve e diskutimeve të shumta nga kolegët nisur dhe nga këto shqetësime që ju me të drejtë raportuat. Është raportimi i parë i këtyre institucioneve në Kuvend. Po të kemi parasysh konstituimin e KLP dhe KLGJ në dhjetor të viti 2018 dhe plotësimin e strukturave të tyre, vlerësimi i performancës së këtyre dy institucioneve përfshin janar 2018-dhjetor 2019”, tha ai.
“KLP dhe KLGJ kanë arritur të ushtrojnë ato kompetenca që ua ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë arriti që të zgjedhë dhe t’i propozojë Kuvendit Prokurorin e Përgjithshëm me mandat kushtetues. Po ashtu, u ngrit edhe SPAK me numrin e nevojshëm të prokurorëve”, tha Manja.
Lidhur me KLGJ, Manja tha se theksi dhe ajo që kërkohet sot në Kuvend, por dhe si pikë e parë që do të votojmë sot në rezolutë, është plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Lartë do të këtë 19 anëtarë, 4 vijnë nga radhët e juristëve dhe 3 janë emëruar dhe janë dekretuar nga Presidenti i Republikës, 1 është në proces, ndërsa 15 të tjerët do jenë nga radhët e sistemit gjyqësor. Risia e Reformës në Drejtësi është që Gjykatën e Lartë e ka bërë pjesë të gjykatës së karrierës. KLGJ duhet t’i kishte shpallur 15 vakancat, nuk ka një pengesë ligjore për të bërë një gjë të tillë dhe ne kërkojmë që të zbatohet neni 48 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Argumenti që u dha në Komisionin e Ligjeve nga Komisioni i karrierës se po t’i shpallim këto nga sistemi gjyqësor mund të na krijohet problem në Gjykatën e Apelit apo dhe gjykatave të shkallës së parë për shkak të Vetingut nuk është argument ligjor. Nuk është KLGJ për të analizuar veprimtarinë e organeve të vetingut. Vetingu është një procesr për të pastruar sistemin nga pjesa e kalbur dhe shpallja e vendeve vakante për Gjykatën e Lartë duhet të bëhet menjëherë. Sepse me plotësimin e trupës në Gjykatën e Lartë varet plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe plotësimi i Gjykatës Kushtetuese me numrin e anëtarëve është kusht edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha ai.
ATSH