TIRANË, 20 qershor/ATSH/Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor po vijon intensivisht me kontrollet në terren ku vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 1755 inspektime në subjekte mes të cilave është pezulluar 1 aktivitet dhe janë vendosur 2 masa administrative me gjobë për subjekte të cilat janë gjetur në shkelje.

Gjatë kësaj jave janë kryer mbi 9 mijë inspektime për masat ndaj COVID-19 dhe janë marrë rreth 50 masa administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje.

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka informuar se “vijon puna çdo ditë në terren për të siguruar zbatimin e udhëzimeve të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë me zero tolerancë ndaj çdo subjekti apo institucioni publik.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon nga qytetarët zbatimin e masave të distancimit sociale, higjienës personale dhe përdorimin e maskave në vendet e mbyllura të rekomanduara. Gjithashtu ju kërkon institucioneve dhe bizneseve të zbatojnë në mënyrë strikte protokollet e sigurisë”.

Ndërkohë inspektimet nga inspektorët shëndetësorë do të vijojnë në terren për ndërgjegjësimin e subjekteve për zbatim të protokolleve të sigurisë në bare, restorante, subjekte tregtare, institucione publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

ATSH