Një ditë pas vendimit për faljen e të gjitha masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, sot u publikuan edhe procedurat e kthimit pas të gjobave dhe mjeteve të sekuestruara për shkelësit.
Në vendimin e fundit, të botuar në Fletoren Zyrtare, theksohet falja e të gjitha masave ndëshkuese të vendosura nga autoritetet shtetërore, pa asnjë dallim, nga fillimi i epidemisë deri në datën 17 prill 2020, duke përfshirë edhe pezullimin e lejeve dhe licencave.
“Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, për masat administrative me gjobë, merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma, me urdhër të nëpunësit të parë autorizues dhe kalohet në mënyrë automatike në llogarinë bankare të individit ose në mungesë të saj kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues”, – theksohet në vendim.
Sipas vendimit, të gjitha institucionet shtetërore duhet të dërgojnë listat e personave ndaj të cilëve është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 prill 2020.3.
“Kthimi i shumave pranë llogarisë bankare të subjektit përfitues apo institucionit shtetëror që ka vendosur masën administrative me gjobë të bëhet brenda datës 15 maj 2020.4. Mënyra dhe rregullat e hollësishme të kthimit të shumave të paguara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Lidhur me kthimin e lejeve/licencave dhe mjeteve të bllokuara, në zbatim të masave administrative, në vendim theksohet se të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2, të këtij akti normativ, si lejet/licencat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 maj 2020 te subjekti përfitues”.
Ngarkohen titullarët e secilit prej institucioneve shtetërore, që kanë vendosur masa administrative sipas këtij neni, të nxjerrin udhëzimet përkatëse për përcaktimin e mënyrës së kthimit të detyrimit të falur.
/k.s/ /a.g/atsh