ATSH/ -Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni deklaroi sot në Kuvend se, “ne të majtëve na ka qëlluar fati apo misioni për ta shtyrë përpara demokracinë e brishtë shqiptare dhe për të ndërtuar kollonat dhe strukturën e shtetit shqiptar. Ndër to është edhe reforma zgjedhore”.
“Janë disa probleme që janë adresuar në disa raporte të OSBE-ODIHR, së paku në 3 raportet e fundit. Mbi 33 rekomandime. Kemi tre vjet që i shtrijmë dorën opozitës. E presim të vijnë nëpër Komisione. Ngrihen ikin me pretekstin e radhës. E gjetën dhe një pretekst tani me dashurinë e madhe të tyre për teatrin. Do të ishim të lumtur të kishim një opozitë kaq të dashuruar pas teatrit, por e vetmja dashuri që kanë është për komedinë rrugës që bëjnë se dashurinë nuk e njohin”, tha Hyseni.
“Ne i ftojmë vazhdimisht për depolitizimin e zgjedhjeve, për departizimin e komisioneve, të numëruesve sepse nuk ka sens më që votën e shqiptarëve ta administrojmë ne që votohemi, ta numërojmë ne që votohemi dhe të nxjerrim rezultatin ne që votohemi. Këtë na e kanë kërkuar partnerët tanë, na e kërkojnë me insistim edhe përfaqësuesit e institucionit më të lartë në fushën e zgjedhjeve që është ODIHR”, theksoi Hyseni.
“Jo thotë opozita. Jo sepse ajo kërkon ta mbajë peng demokracinë, kërkon ta përdorë për interesa të ngushta politike. Por nuk ka më kohë. Ne nuk kemi kërkuar asgjë për veten tonë. Ne kemi thënë që çfarëdo që të thotë OSBE-ODIHR jemi gati ta hedhim në draft. Deri diku ia kemi dalë. Shumicën dërrmuese edhe ata janë dakord, ekspertët e tyre përfaqësuesit e tyre teknik, sa kohë që nuk pengohen nga liderët e tyre janë dakord nëpër drafte. Thjesht me preteksti n e radhë iu largohen zgjidhjeve vetëm për të mbajtur peng demokracinë”, tha Hyseni.
“Ne duam që Kolegji Zgjedhor të përbëhet nga gjyqtarë të vettinguar, të pastruar me imazh të pastër. Ata thonë jo. Çudi e madhe sepse deri dje thoshin që edhe ne jemi pro reformës në drejtësi. Po si mund të jesh pro reformës në drejtësi dhe kërkon që në institucionet më të larta të zgjedhjeve të jenë njerëz të pavetuar”, theksoi Hyseni.
“Ne duam votën e emigrantëve, kurse opozitën e tmerron vota e emigrantëve. Në fakt e tmerron edhe vota e shqiptarëve prandaj ikën dhe nuk erdhën fare në zgjedhjet e kaluara lokale. Dhe kem frikë nëse do të vinë në zgjedhjet e tjera. Kjo është demokracia. Rregullat e zgjedhjeve të paktën t’i bëjmë së bashku. Prandaj dhe ne këmbëngulim që ta bëjmë me opozitën qoftë me atë të rrugës qoftë me atë parlamentare”, tha Hyseni.
“Në fund të fundit ato duhet të kuptojnë një gjë, koha nuk është në favor të tyre. Duhet të kuptojnë një gjë, që do të vijë këtu në këtë parlament, do të kalojë nga këto vota të deputetëve këtu. Prandaj të dakordësojmë ato elementë që mund të dakordësohen së bashku”, u shpreh Hyseni.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës parlamentare, Hyseni tha se, “mos u kapni pas shpresave të kota të sistemeve. Nuk është sistemi ajo që ju jep zgjidhje është vetëm vota e shqiptarëve. Ne kemi provuar 4 sisteme në 30 vite, si pak vende të tjera. Të 4 sistemet janë demokratike. Të 4 sistemet kanë të metat e tyre. Çdo sistem nuk është i përkryer. E përkryer është vetëm vota e popullit. Po more votën e popullit nuk ka rëndësi sistemi. Ata që kanë frikë nga vota e popullit kapen pas sistemeve”.
/gj.mima/ /a.g/