Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të mblidhet sërish sot (1 mars) për të shqyrtuar masat për parandalimin e pandemisë Covid-19.
Në mbledhjen e fundit, ditën e premte, Komiteti Teknik vendosi të mos aplikojë asnjë masë shtesë, apo të mos përforëcojë masat aktuale, ndonëse situata në vend prej disa javësh paraqitet e rëndë.
Por ishin sërish vetë anëtarët e Komitetit që një ditë më pas thanë se situata është kritike dhe që do mblidheshin për të vendosur masat e reja anti-Covid.
Ndonëse nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Komiteti Teknik sot, ndër masat që mund të preken janë transporti publik, kalimi i shkollave online, baret dhe restorantet, si dhe fasha e orarit të karantinës që aktualisht është në 20:00.
Ndërkohë vijojnë të jenë në fuqi masat kufizuese:
-Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune.
-Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme në qytetet që janë vatra infeksioni vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë. Mësimi vijon të jetë online në universitete.
-Fluturimet me Britaninë e madhe janë të pezulluara.
Ditën e djeshme 21 persona humbën jetën nga Covid, ndërsa u shënuan 952 raste të reja.