TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtoi sërish sot një thirrje çdo qytetari për të treguar  kujdes çdo dite me respektimin e rregullave.

Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 javët e fundit si dhe rritja e numrit të shtrimeve në spitale edhe nga moshat 30-40, ka bërë që ministria e Shëndetësisë të dalë në thirrje të njëpasnjëshme për kujdes.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore. Kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit”, tha Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura.

“Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID-19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19”, – tha Dervishi.

ATSH