TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Qeveria miratoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Turqinë për bashkëpunimin në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë natyrore, konkretisht në Laç.
Kështu deklaroi ministri i Rindërtimit dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj gjatë një deklarate për shtyp nga Kryeministria.
“Në muajin shkurt ne nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit mes dy palëve që i hapi rrugën negociimit të marrëveshjes, e cila në ditët në vijim do të nënshkruhet formalisht e zyrtarisht me ministrin turk, Murat Kurum”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Përtej ndihmës së parë materiale që vazhdon edhe sot në mbështetje të qytetarëve të prekur nga tërmeti, qeveria e Turqisë ka marrë angazhimin për ndërtimin e 500 shtëpive të reja në zonën e Laçit.
“Dua t’ju bëj me dije se i kemi kaluar të gjitha fazat që nga projekti deri tek planifikimi dhe shpronësimi qoftë me mjete monetare, qoftë me shkëmbim për banorët që preken, një zonë ku do të ndërtohen 500 banesa dhe patjetër do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe ekonomik për Kurbinin dhe për vendin”, tha ministri.
Projekti ka rreth 500 banesa për qytetarët që kanë humbur banesat në Laç dhe në Thumanë, shoqëruar me ambiente komerciale dhe me dy ambiente të rëndësishme publike, shkollën dhe ndërtesën e bashkisë.
ATSH