ATSH/ – Miratohet struktura e posaçme për mbikëqyrjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë.

Në drejtimin e të dy kryetarëve të komisioneve përkatëse, Milva Ekonomi dhe Ulsi Manja, u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe të komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Qëllimi i mbledhjes së sotme ishte shqyrtimi i projektvendimit “Për ngritjen e strukturës së posaçme për të mbikëqyrur shpërndarjen e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politik të regjimit komunist”, propozuar nga deputeti Artur Roshi.

Manja dhe Konomi i paraqitën mbledhjes tre propozime për votim.

Së pari, mbledhja miratoi anëtarësinë e strukturës së posaçme me formatin e një nënkomisioni: Artur Roshi dhe  Senida Mesi anëtarë nga komisioni i Ekonomisë dhe Financave, si edhe Korab Lita, Elena Xhina dhe Adnor Shameti anëtarë përfaqësues nga komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Së dyti, komisioni bashkërisht miratoi gjithashtu afatin e veprimtarisë së strukturës, që përkon me legjislaturën parlamentare zyrtare.

Propozimi i tretë, ai i kalimit te nënkomisioni i të drejtës për caktimin e kryesisë, hasi në debate dhe mbledhja e përbashkët ushtroi kompetencën e propozimit të kryesisë, nga ku në fund të diskutimeve dhe votimeve rezultoi si vijon: Senida Mesi u caktua me shumicë votash si kryetare, Korab Lita, zëvendëskryetar dhe  Elena Xhina, sekretare e nënkomisionit.

Mbledhja e përbashkët kërkoi nga struktura e posaçme, që në mbledhjen e tyre të parë të kenë një rregullore në shembullin e nënkomisioneve të tjera të Kuvendit.

/gj.mima//a.a/