Ekipi i 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë ka reaguar me anë të një deklarate pas përfshirjes në një incident të pakëndshëm mbrëmjen e fundit të qëndrimit në Itali, para se të kthehen në atdhe.
Ata fillimisht falenderojnë kolegët italianë me të cilët gjatë këtyre javëve kanë punuar me profesionalizmë për të përballuar këtë pandemi.
Por për fat të keq, vijon deklarata, “në hotelin ku ne ishim mirëpritur në qytetin e Breshias e kemi ekzagjeruar me një incident të pakëndshëm”.
“Kënaqësia që na dha fakti se tamponi i dytë doli negativ duke na lejuar të kthehemi pranë familjeve tona në Shqipëri na bëri të kapërcejmë kufijtë duke festuar në dhomat e hotelit.”
Ata kanë mirëkuptuar edhe ndërhyrjen e forcave të rendit në hotel.
Vlen të theksohet se ka pasur edhe një reagim pozitiv nga publiku italian që e kanë quajtur të padrejtë që ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë të gjobiten nga policia italiane kur ata kishin ardhur për ti ndihmuar.
Rreth 10 mjekë e infermierë shqiptarë nga ekipi i 30 mjekëve që sot po priten të rikthehen në Shqipëri pas misionit të përfunduar në ndihmë të Italisë së goditur nga pandemia janë gjobitur me 500 euro gjobë, ndërsa dy prej tyre janë denoncuar.
Media lokale italiane shpërndajnë sot lajmin se disa mjekë e infermierë shqiptarë që një ditë më parë i kanë dhënë fund misionit të tyre të ndihmës në rajonin e Lobmardisë janë gjobitur me 500 euro secili për shkelje të masave të regjimit të pandemisë e madje 2 prej tyre janë denoncuar për rezistencë e fyerje ndaj forcave të rendit.
Gjithçka ka ndodhur një natë më parë në një hotel të Breshës ku një grup prej 10 personash nga 30 mjekët e infermierët shqiptarë, po festonin në një prej dhomave të tyre duke pirë alkool e me muzikë të lartë. Një festim i tillë nuk është i lejueshëm nga rregullat e pandemisë, gjë që ka çuar pronarin e hotelit të Breshës të thërras forcat e rendit.
Ora News