SHKUP, 19 qershor /ATSH-MIA/ – Gjatë kësaj fundjave do të bisedohet për hapjen e plotë të kufijve, respektivisht për kalimin e lirë të qytetarëve pa teste dhe karantinë, ndërsa vendimi përfundimtar për këtë mund të merret në fillim të javës së ardhshme, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.
”Hapja e kufijve është diçka që kërkon koordinim rajonal të të gjitha vendeve në rajon”, shtoi ai.
“Vlerësimi është se të gjithë kemi rrezik të ngjashëm apo të njëjtë epidemiologjik. Por, shumë e rëndësishme është të kemi koordinim që të ndiqen të gjitha kontaktet nëse nevojitet. Ne do të bisedojmë për hapjen e kufijve gjatë fundjavës dhe vendimin do ta marrim në fillim të javës së ardhshme”, theksoi ai.
”Praktikisht, në çdo dy-tre ditë kam kontakte bilaterale dhe biseda telefonike me të gjithë ministrat e Shëndetësisë nga vendet fqinje si Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Kosova dhe Serbia me qëllim që të ndajmë përvojat dhe dinamikën e zhvillimit të rasteve të sapozbuluara”, nënvizoi Filipçe.
“Ne kemi marrë vendim që të gjithë të huajt nga vendet fqinje nëse shfaqin simptoma ose kanë dyshime të paraqiten në spital dhe do të kenë trajtim falas”, tha ai.
ATSH