SHKUP, 9 korrik /ATSH-MIA/ – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do t’i ndjekin 2 000 vëzhgues vendas dhe të huaj.

Sipas KSHZ-së, sot është dita e fundit për vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë që të mund të paraqiten për monitorimin e zgjedhjeve.

Deri tani janë akredituar gjithsej 2 148 vëzhgues, prej të cilëve 2 018 vendas dhe 130 të huaj.

Midis vëzhguesve ndërkombëtarë të akredituar, sipas informacionit të postuar në faqen e internetit të KSHZ-së, 47 janë nga OSBE/ODIHR, ambasada e SHBA-së do të ketë 40, IFES katër, ambasada franceze 13, ambasada hungareze 10, Shqipëria 4, Austria dhe Zvicra 3, Bullgaria dhe Mali i Zi nga 2 dhe ambasadat e Holandës dhe Kanadasë nga një vëzhgues.

Për informimin për zgjedhjet deri tani janë akredituar edhe dhjetëra gazetarë të huaj.

ATSH