ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi u shpreh se, “deri tani janë 16 700 aplikime nga fermerë në skemën e naftës për bujqësinë, ndërsa jemi të kënaqur se, fluksi i atyre që duan të marrin një NIPT dhe të përfitojnë nga kjo mbështetje, është më i madh se aplikimet vetë, duke bërë që numri i përfituesve nga skema e naftës të jetë shumë i lartë”.
Gjatë një interviste televizive Ekonomi theksoi se, “fermerët për të përfituar nga skema e naftës falas duhet të kenë një NIPT, dhe për ta marrë atë është shumë e thjeshtë vetëm me një klik në e-Albania”.
Sipas saj, për një periudhë njëmujore numri i aplikimeve të reja për NIPT, ka qenë nga 6 mijë e 200 fermerë, ndërsa vijon një fluks i shtuar aplikimesh që na ka bërë ne të shtyjmë afatin e aplikimit në skemën e naftës falas për bujqësinë, deri në 30 mars 2021.
Gjithashtu bëri të ditur ajo, përfitojnë naftë të gjitha ata që kanë një sipërfaqe toke jo më të vogël se 0.4 ha dhe të gjithë ata që e kanë sipërfaqes së fermës 10 ha dhe që kanë një certifikatë të pronës apo kontratë qiraje.
“Qëllimi është që të ndihmojmë të gjithë fermerët e vegjël, pasi siç e dimë fermat janë në pjesën më të madhe në sipërfaqe 2 ha”- tha ajo.
Ministrja bëri të ditur se, kjo skemë ka krijuar një sistem funsional ku bëhet aplikimi, kontrollohet sipërfaqja e tokës dhe përllogaritet nafta. Pas kësaj fermeri shkon në zyrën e AREB për të marrë kartën e naftës.
“Gjatë kësaj jave që ka filluar shpërndarja janë dhënë 200 karta. Nafta pa taksa i jepet fermerit dhe jo mjetit. Kjo do të thotë që në rast se dikush ka mjetin dhe e përdor atë për të punuar tokën e fermerit, naftën e merr fermeri dhe e zgjidh marrëveshjen me personin që ka mjetin” – tha ajo
Sasia e naftës së prokuruar për këtë skemë i ka kushtuar buxhetit të shtetit 10 milionë USD dhe sasia e naftës parashikon të mbulojë nevojat vjetore të fermerit.
“Parashikojmë që të kemi edhe një thirrje tjetër për mbjelljet e vjeshtës por ky është një program që do të vijojë edhe në vitet në vijim i implementuar tek skemat e mbështetjes”- tha Ekonomi.
Ajo nënvizoi se procedura e përzgjedhjes së kompanisë që do të shpërndajë naftën është bërë transparente duke plotësuar të gjitha kërkesat që kërkonte kjo skemë, deri tek prodhimi i kartës që merr fermeri. Kompania që ka fituar garën ka 84 pika shërndarje në çdo bashki.
Ekonimi vuri në dukje tre sfidat kryesore të bujqësisë ndër të cilat zbatimi me sukses i skemës së shpërndarjes së naftës për fermerët, për të vijuar me sistemin veterinar që vaksinon, matrikullon dhe kontrollon kafshët bujqësore nga ferma deri në thertore dhe kontrolli ushqimor në të gjithë zinxhirin ushqimor sipas standardeve të BE-së. /j.p/