Gazetari dhe krijuesi i njohur letrar, Ramadan Musliu ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare. Ai konsiderohet si një figurë e spikatur dhe emblematike e publicistikës dhe letërsisë moderne shqiptare.
Lajmi ka sjellë reagime të shumta në Prishtinë dhe Tiranë, ku Ramadan Musliu ishte mjaft i njohur duke qenë se ishte kryeredaktori i të përditshmes “Rilindja”, botimi në Tiranë në periudhën 1993-1999.
Ai u lind më 31 maj 1954 në Beguncë të komunës të Vitisë dhe gjatë karrierës së tij profesionale jetoi në Prishtinë, Tiranë dhe duke u rikthyer herë pas here në Viti.
Studioi Letërsi dhe gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik të Universiteti i Prishtinës ku mbaroi edhe studimet pasuniversitare. Krijimtarinë letrare dhe publicitike (gazetareske) e filloi herët.
Ai gjatë viteve 1977-1980 ka punuar arsimtar i lëndës gjuhë dhe letërsi shqipe në Qendrën Shkollore “Kuvendi i Lezhës”.
Po ashtu ai ka punuar edhe si gazetar i kulturës në gazetën e përditshme Rilindja dhe ishte anëtar i redaksisë së revistës së përdyjavshme për kulturë “Fjala” të Prishtinës, nga viti 1981-1993.
Ramadan Musliu ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2004 deri në vitin 2007.
Krijimtaria e plotë e Ramadan Musliut:
1993 – 2004 Punoi si redaktor kulture e pastaj edhe si kryeredaktor i të përditshmes “Rilindja”, botimi i Tiranës. Gjatë kësaj periudhe drejtoi Shtepinë botuese “Eurorilindja”.
2003 – 2004 Drejtoi revistën letrare “Kalendari letrar”.
2004 – 2007 ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
2008 – 2010 Punoi si këshilltar politik i ministrit të kulturës në Qeverinë e Kosovës.
Botoi pesë libra me studime dhe kritikë letrare:
1990 – “Mbindërtimi poetik”, Prishtinë;
1998 – “Konfiguracione narrative”, Tiranë;
2005 – “Estetikja e dallueshme”, Prishtinë;
2010 – “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, Shkup;
2012 – “Tangjenta letrare”, Prishtinë;
1997 – “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, Tiranë, libër publicistik
Autor i pesë librave me poezi:
1981 “Parodia e trupiut”, Prishtinë;
1985 “Shqisa e gjashtë”, Prishtinë;
1987 “Pasqyra e të rrëfyerit”, Prishtinë,
1996 “Kënga e sibilave”, Tiranë,
2004 “Në zemrën e gjërave”, Prishtinë
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frëngjisht, serbisht, maqedonisht slllovenisht dhe është prezantuar në antologjinë e poezive ndërkombtare për vitin 2010 dhe është fitues i disa çmimeve letrare.
Kryeministri i Kosovës reagoi ndaj lajmit duke shkruar se ndihej “thellësisht i tronditur nga kumti i zi i shkuarjes në amshim të poetit, kritikut letrar e publicistit tonë Ramadan Musliu”.
“Përveç veprimtarisë krijuese e studimore, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës, një herë si deputet i Kuvendit të Kosovës, e pastaj si këshilltar i ministrit të Kulturës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe lexuesve të tij të shumtë”, u shpreh Hoti.