ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi sot se nga ndërtimi i segmenti Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian ne presim një impakt me gati 1.4 miliard euro dhe një punësim të shtuar me 22 mijë vende pune”.

Në prezantimin e projektit për segmentin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian ministrja Denaj theksoi se “ky korridor në veçanti segmenti Milot-Fier nuk është jo vetëm një vepër e rëndësishme infrastrukturore , por mbi të gjitha i shërben ekonomisë, bujqësisë, turizmit dhe kulturës sonë”.

“I gjithë rajoni ku segmenti do të zhvillohet bën pjesë dhe kontribuon me gati 50% në Produktin e Brendshëm Bruto. Për vitet e fundit rritja në ekonomi ka qenë me gati 5% çdo vit”, – nënvizoi Denaj.

Ky projekt, vijoi Denaj, i shoqëruar edhe me angazhimet tona rajonale ato për lehtësimin e tregtisë, miratimin e protokolleve rajonale për reduktim të barrierave tarifore dhe jotarifore, do të mobilizojë një zhvillim nga veriu në jug.

Po ashtu, tha Denaj, ky projekt do të zhvillojë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen me vendet e BE-së.

“Nisur nga eksperienca e vendeve të zhvilluara në BE dhe impakti i korridoreve kyçe si zhvillime në infrastrukturë, sjellja e impaktit në ekonomi ka qenë dyfishimi i ekonomisë në këto zona ku është zhvilluar”, – tha Denaj.

Segmenti Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, do t’i shtohet hartës së infrastrukturës rrugore të Shqipërisë. 115 kilometrat e këtij segmenti do të përshkruhen për 75 minuta, në një rrugë me standardet më të larta e cila do të lehtësojë jo vetëm qarkullimin e brendshëm, por edhe bashkëpunimin rajonal dhe europian të transportit./k.s//a.a/