ATSH/ Dy futbollistët kuqezi, Marash Kumbulla dhe Myrto Uzuni, dolën sot në një konferencë për mediet ku kanë folur për dy ndeshjet e ardhshme të ekipit kombëtar ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë.
Mbrojtësi shqiptar i Romës foli për transferimin e bujshëm në klubin kryeqytetas, për ndeshjet dhe për objektivat e kombëtares.
Ndërkaq, Uzuni i Ferencvaroshit, i kualifikuar në Ligën e Kampionëve, foli për formën e mirë që po kalon me klubin, bisedën me trajnerin Reja dhe lojtarët që ndihet më mirë në kombëtare.
Kumbulla foli për kalimin e tij te Roma, “jam shumë i kënaqur sepse shkova në një klub me shumë histori në Itali. Besoj se do të më ndihmojë. Të shohim zgjedhjet e trajnerit, e rëndësishme është që kombëtarja të fitojë dhe të luajë mirë”.
I pyetur për situatën në mbrojtjen e ekipit kombëtar, Kumbulla tha se, “besoj se nuk është vetëm problem i mbrojtjes, por i gjithë repartit. Nuk ka të bëjë vetëm me tre mbrojtës, por me gjithë ekipin. Besoj se nuk është shumë problem, por do përmirësohemi në të gjitha repartet e ekipit.
I pyetur nëse preferon të luajë titullar në Kombëtare, ai tha se, “unë nuk e di a do të jem titullar apo jo, sepse zgjedhjet i bën trajneri. Unë shpresoj të luaj, të ndihmoj ekipin të fitojë. E rëndësishme është që Kombëtarja të luajë mirë dhe të fitojë, me mua apo pa mua”.
I pyetur nëse është gati të marrë rolin e liderit në qendër të mbrojtjes, Kumbulla u shpreh se, “unë besoj jam mbrojtësi më i ri në Kombëtare dhe nuk jam unë që do bëj liderin, është Berati, Dermaku mbrapa që do bëjnë rolin e liderit para meje”.
Për ndeshjen me Kazakistanin, ai u shpreh se, “është ndeshja e parë, pres vetëm ta fitojmë këtë ndeshje, të luajmë mirë dhe asgjë tjetër. Fokusi kryesor është Kazakistani, pastaj mendojmë për Lituaninë”.
Mesfushori Myrto Uzuni foli për dy golat në Champions League dhe arritjen e kualifikimit në fazën e grupeve. “Kam shënuar dy gola shumë me vlerë me ekipin, por tani është koha për kombëtaren dhe të japim maksimumin të gjithë të bashkuar dhe të marrim rezultate pozitive”, tha ai.
“Normalisht, kur vjen Kombëtarja, ndjesia është shumë e madhe pasi që një futbollist të veshë fanellën e kombëtares është diçka shumë e mirë. Realisht, golat më japin motivim edhe shtysë të vazhdoj akoma përpara. Trajneri më uroi për golat dhe paraqitjen që bëra pasi ata ndjekin çdo gjë”, tha Uzuni.
/gj.mima/j.p/