ATSH/- Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndëshkim për ata punëdhënës që nuk aplikojnë për pagën e luftës për punëmarrësit e tyre deri në datën 5 qershor. Pas kësaj, në rast mosaplikimi, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë e punonjësve, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet.
“Administrata Tatimore ka kryer të gjitha verifikimet për mijëra punonjës. Janë më shumë se sa 109 mijë e 664 punonjësit e shpërblyer deri tani me paketën e zgjeruar, të cilëve u takon mbështetja e Qeverisë Shqiptare prej 40.000 lekësh”, bëri të ditur Kryeministri.
Ata, tha Rama, ende nuk e marrin dot këtë shpërblim, sepse tatimpaguesit nuk kanë kryer detyrimin e tyre ligjor e moral për ta, duke mos aplikuar në faqen zyrtare të Tatimeve për shpërblimin e tyre.
“Kjo është e turpshme, përveçse e dënueshme me ligjin në fuqi. Keni 1 javë kohë, deri në 5 qershor, të plotësoni online formularin me të dhënat e individëve përfitues në sipërmarrjet tuaj, në të kundërt penalizimi për mosaplikim për cënimin e hapur të së drejtës së punonjësve tuaj, do të jetë i pashmangshëm”, deklaroi Kryeministri Rama.
Rama u dha punonjësve në fjalë, lajmin e mirë se bonusi prej 40 mijë lekësh do të kalonte në mënyrë automatike në llogarinë e tyre.
“Keqardhje për këtë vonesë të krijuar nga punëdhënësit tuaj, e cila është toleruar deri këtu duke u shkruar e rishkruar atyre që ta përmbushin detyrimin, pa vepruar me gjobat përkatëse. Por kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qenë të punësuar, nuk do të aplikojë brenda deri në 5 qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet”, u shpreh Kryeministri.
“Të gjithë juve që më keni shkruar për këtë hall me punëdhënësin tuaj apo jeni drejtuar me ankesat tuaja të drejta në administratën tatimore, ju lutem edhe pak ditë durim dhe besim të plotë që nuk do të jeni vetëm në këtë situatë absurde, ku ligji dhe Qeveria juaj ju jep shpërblimin dhe maliqi për të cilin punoni jua mohon”, tha Rama më tej.
“Unë them atë që bëj dhe bëj at që them dhe askush, asnjë , nuk do të mbetet pa marrë atë që i takon, me ligj e zakon”, bëri të ditur Kryeministri./a.gjonaj/