ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama tha sot se jam i hapur për gjithçka për të arritur përfundimin e Reformës Zgjedhore.
Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Rama tha se “përsa i përket reformës unë i kamë thënë ato që kam pasur për të thënë. Është shumë e thjeshtë nga një sugjerim të kthyer në një kërkesë që nga Bundestagu është përfshirë në dokumentin e Këshillit për një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR që do votohet në parlament”.
“Kjo është korniza. Dhe mbi bazën e e rekomandimeve të OSBE/ODIHR ku ajo më e përsëritura shpesh është depolitizimi i administratës zgjedhore. Ne jemi të hapur deri në fund për çdo gjë, por duke qenë se në këtë proces për të ndihmuar janë përfshirë dhe partnerë miq të Shqipërisë, unë nuk dëshiroj të bëjë komente përpara sa të flasin dëshmitarët. Sigurisht unë kam diturinë e plotë dhe këndvështrimin tim mbi ecuritë e procesit dhe të ngjarjeve, por besoj ajo që na duhet është të bëjmë sa më pak polemika e lagu se lagu dhe të përpiqemi për produktin më të mirë. Nga ana jonë besoj se produkti është aty, i plotëson të gjitha kushtet mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, sigurisht në një proces zgjedhorë të gjitha palët kërkojnë gjithçka. Ka palë mendojnë se me ligjin e reformës fitohen zgjedhjet, s’është e vërtetë. Zgjedhjet fitohen me zgjedhjet e popullit. Apo që mendojnë se një ky sistem apo ai sistem bëjnë ata që i mendojnë si mrekullira, s’është e vërtetë. Është thjeshtë respektimi standardesh dhe garantimi standardesh. Ne kjo na intereson, për këtë kemi punuar, për këtë kemi dhënë kontributin tonë dhe besoj se e kemi bërë detyrën tonë”, tha Rama.
Rama shtoi se “nuk dua të merremi me fjalë sepse e thashë, ka dëshmitarë. Më vjen keq që në Shqipërinë e 2020 të ketë ambasadorë që dalin në seli partish për të bërë një marrëveshje, apo një negociatë, apo një diskutim në interes të përbashkët siç është diskutimi për rregullat e lojës. Mendoj se do të duhet prej kohësh ta kishim bërë vetë këtë por meqenëse palët e tjera kanë nevojë për këtë element edhe për të pasur garanci, unë jam mirënjohës miqve që janë përpjekur të ndihmojmë. Të bëjmë më të mirën duke lehtësuar procesin e komunikimit, por s’dua të bëjë koment sot për këtë pasi ka akoma të tjerë që do të flasin”.