TIRANË, 30 qershor/ATSH/ -Një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane ka mundësuar arrestimin e 37 personave dhe sekuestrimin e 3.5 ton drogë me një vlerë pasurie që shkon në 40 milionë euro

Operacioni i nisur që prej vitit 2018, i drejtuar nga Antimafia e Barit në bashkëpunim me repartet e Antimafias, të Policisë së Shtetit e të Guardia di Finanzës së qyteteve Foggia, Lecce, Bologna, Roma, Napoli e Catanzaro, si dhe në bashkëpunim me Autoritetet Shqiptare, me CriminalPol, me zyrën ndërlidhëse të Interforze në Tiranë e me koordinimin e Eurojust, çoi në arrestimin e 37 personave si përgjegjës të një trafiku ndërkombëtar droge.

Detajet e këtij operacioni ndërkombëtar i koduar “Kulmi”, u bënë të ditur gjatë një konference për shtyp nga prokurori kombëtar i antimafias Federico Cafiero De Raho, Arben Kraja, Kreu i Prokurorisë Speciale Antikorrupsion dhe Krimi i Organizuar (SPAK) dhe prokurori Vladimir Mara  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu,  Filippo Spiezia, nënkryetar dhe anëtar për Italinë e Eurojust, Giuseppe Volpe, prokuror i Barit dhe drejtori i DIA-s, Giuseppe Governale.

Gjatë hetimit, u kapën afërsisht tre ton e gjysmë drogë që nga marijuana, kokaina dhe hashashi, për një vlerë mbi 40 milion euro dhe që korrespondon me rreth 7 milion doza.

Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho u shpreh se, suksesi i operacionit ishte bashkëpunimi mes dy vendeve për të goditur grupet kriminale me skuadra investigative.

“37 të arrestuar, një operacion i madh pas bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë me një skuadër investigative. Këtu ndodhet kreun i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja dhe prokurori Vladimir Mara. Janë sekuestruar tonelata marijuanë dhe kokainë. Bashkëpunimi mes vendeve është arma më e fortë për të luftuar trafikun e drogës mes vendeve. Është operacioni më i madh që ka goditur grupet kriminale italiane dhe shqiptare i zhvilluar ndonjëherë”, tha ai.

Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe  tha se, “grupet kriminale funksionojnë si një lum i madh. Grupet shqiptare duke përdorur brigjet e Jugut për të kaluar në ato italiane sasi të mëdha marijuane. Janë pasuri të sekuestruara që u përkasin shqiptarëve dhe italianëve”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se, “jam shumë krenarë sot që së bashku finalizuam këtë procedim për më shumë se 2 vjet e gjysëm dhe ia dolëm me sukses. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë forcat pjesëmarrëse jo vetëm në operacionin e sotëm, por ndjekjen në vazhdimësi gjatë gjithë periudhës. Dukë përfshirë forcat e Policisë shqiptare, ato të DIA-s dhe skuadrën e Interforcës në Shqipëri.
“Le të jetë rezultati i këtij operacioni një motiv më shumë për të forcuar akoma më shumë bashkëpunimin dhe për të arritur rezultate të shkëlqyera në të ardhmen. Ne ngelemi të gatshëm dhe të angazhuar për t’u bërë pjesë e suksesit në të gjitha skuadrat e përbashkëta dhe operacionet që do të bëhen në të ardhmen”, tha Veliu.

ATSH