ATSH/ Bashkia Roskovec me fondet e saj u ka ardhur në ndihmë 271 familjeve të cilat janë përfituese të paketave ushqimore, ndërkohë që në bashkëpunim me donatorët janë ndihmuar edhe 247 familje të cilat nuk kanë asnjë të ardhur.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetarja e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi detajoi ndihmën që u është ofruar familjeve në nevojë në kushtet e situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19.

Bufi tha se “në bashkinë Roskovec janë mirëpërcaktuar kategoritë të cilave do t’u ofrohet asistencë në blerjen e paketave ushqimore dhe medikamente, falas dhe me pagesë”.

Ajo tha se “bashkia Roskovec ka përcaktuar fondin 600 mijë lekë nga buxheti i Bashkisë, i cili është miratuar nga Këshilli Bashkiak”. Ky fond, sipas saj, i ka ardhur në ndihmë 271 familjeve të cilat janë përfituese të paketave ushqimore falas sipas vendimit të Qeverisë shqiptare.

“Përfitues të paketave ushqimore falas janë: familje përfitues të ndihmës ekonomike por që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër; familje përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët janë mbi 5 anëtarë, nga të cilët 3 janë nën 18 vjeç; familje të cilët janë përfitues të ndihmës ekonomike nga bashkia ( 6%) dhe familjet në nevojë të cilët janë të pastrehë”, sqaroi Bufi.

Ndërkohë, duke qenë se në këtë vendim nuk ofrohen ndihma për të gjitha ato familje të tjera që janë në kushte të vështira ekonomike, Bufi tha se bashkia Roskovec në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm u ka ardhur në ndihmë 247 familjeve, të cilat nuk kanë asnjë të ardhur.

Ajo tha se bëhet fjalë për familje që punojnë pjesërisht me ditë pune ose në të zezë dhe nuk bëhen dot pjesë e ndihmës ekonomike.

“Për të identifikuar këto familje, bashkia Roskovec ka ngritur grupe terreni të cilët në bashkëpunim me Kryetarët e fshatrave , kanë identifikuar familjet më në nevojë.  Gjithashtu për të qenë më transparentë dhe për t’u dhënë mundësinë të gjitha familjeve, Bashkia Roskovec ka hartuar dhe publikuar një formular ku të gjithë kryefamiljarët mund të vetëdeklarohen. Të gjitha aplikimet vlerësohen dhe kontrollohen nga grupi i punës”, tha Bufi.

Këtu, sipas saj, “bën pjesë grupi i dytë prej 247 familje”.

Ndërsa grupi i tretë i ndihmuar nga bashkia, sipas saj, “janë familjet rome”. “30 familje të komunitetit rom janë ndihmuar dy herë më paketa ushqimore nga bashkia e Roskovecit në bashkëpunim me donatorët, duke patur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen”, tha ajo.

Kryebashkiakja Bufi tha po ashtu se “bashkia Roskovec ka ngritur grupet e terrenit, të cilët asistojnë pensionistët e vetmuar, personat me aftësi të kufizuar, në blerje të produkteve ushqimore, medikamenteve dhe çdo shërbim tjetër për të cilën ata kanë nevojë.

Deri më tani, ajo tha se “janë asistuar nga grupet e terrenit mbi 470 pensionistë të vetmuar”.

/m.m/j.p/