TIRANË, 30 qershor /ATSH – I. Vata/- Kreu i SPAK, Arben Kraja, i pranishëm në Itali gjatë konferencës të mbajtur online, mes drejtuesve të policisë dhe prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane lidhur me mega operacionin e zhvilluar ku u arrestuan 37 persona si dhe u sekuestruan 3.5 ton drogë, deklaroi se në Shqipëri do të hetohet për personat që mund të kenë lejuar apo favorizuar aktivitetin kriminal.

Kraja tha se  “kam ardhur në Romë me 7 shkurt dhe kam firmosur marrëveshjen e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit dhe ideja ishte të ishim konkret në veprimet që bëjmë dhe besoj se sot jemi konkret në aksionin që kemi realizuar”.

“Skuadrat e përbashkëta hetimore janë përgjigja më e mirë dhe më efektive që mund t’i jepet krimit të organizuar i cili funksionon në rrafshin ndërkombëtar”, tha ai.

Në vijim, Kraja tha se “aksioni u krye perfekt mes bashkëpunimit të autoriteteve të policisë shqiptare dhe italiane dhe midis dy prokurorive. E reja që kemi sjellë në Shqipëri me këtë hetim është se nuk jemi kufizuar vetëm me hetimin, por edhe hetim dhe akuzë për pastrim të veprës penale dhe kemi arritur të sekuestrojmë dhe produkte e veprës penale në një vlerë të konsiderueshme. Jemi të vendosur që të vijojmë me të njëjtin ritëm edhe me skuadrat e tjera investigative të përbashkëta”, tha Kraja.

Ai deklaroi se “në Shqipëri do të të vijojmë të hetojmë deri në fund, deri në detaje për përgjegjësitë e mundshme ligjore të autoriteteve shtetërore të cilët kanë lejuar aktivitetin kriminal dhe kushdo të jetë i përfshirë në aktiviteti kriminal do të dërgohet para përgjegjësisë penale, para gjyqit”.

ATSH