ATSH/ Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj vijoi sot turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me bizneset në Paskuqan, përfituese të Paketës së Zgjeruar prej 40 000 lekësh.

Ajo tha se “sot janë 111 898 individë që kanë përfituar 40,000 lekë nga Paketa e Zgjeruar dhe 64 964 individë që kanë përfituar Pagën e Luftës nga Paketa e Parë”.

Po ashtu, Ibrahimaj theksoi se “brenda datës 5 qershor presim aplikimet e punëdhënësve në kompanitë me xhiro mbi 140 milionë për disa dhjetëra mijëra punonjës të tjerë, që nuk e kanë marrë ende atë që takon”.

Në të kundërt, ajo paralajmëroi punëdhënësit se do të sanksionohen dhe punonjësve do t’ua çojmë direkt në llogari 400 mijë lekëshin.

“Janë rreth 32 mijë të punësuar të cilët i shtohen Paketës së Dytë të luftës dhe përfitimit të bonusit prej 40 mijë lekësh, ndërkohë që të gjithë tatimpaguesit duhet që të aplikojnë për të punësuarit e tyre brenda datës 5 qershor. Unë i ftoj të gjithë tatimpaguesit të aplikojnë pasi në rastin e mos aplikimit do të jemi të detyruar të vendosim penalitete, pasi të punësuarit duhet të marrin atë që meritojnë”, tha ajo.

“Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që them dhe askush, asnjë, nuk do të mbetet pa marrë atë që i takon, me ligj e me zakon”, shtoi Ibrahimaj./