TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj e vijuan në Lezhë turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin, për t’i informuar ato mbi paketën e zgjeruar të qeverisë që siguron ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh për punonjësit e prekur në punën e tyre në situatën e krijuar prej COVID-19, si dhe garancinë financiare të qeverisë për kapital qarkullues.

179 mijë punonjës janë përfitues të paketës së zgjeruar prej 40 mijë lekësh, bazuar në ndryshimet e fundit që miratoi qeveria.

Ministrja Denaj ripërsëriti apelin drejtuar bizneseve për të aplikuar ndërsa u solli në vëmendje atyre afatin deri më 5 qershor.

Deri tani, tha ajo, 87% e subjekteve të parashikuara kanë aplikuar pranë Administratës Tatimore.

“Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave bëri të mundur zgjerimin me të paktën 32 mijë punonjës. Deri më datë 5 qershor nevoja për përfaqësuesit e bizneseve për të aplikuar online është domosdoshmëri”, bëri të ditur Denaj.

Sipas saj, edhe vënia në dispozicion e pagës dhe garancisë sovrane ishte për të evituar largimin e punonjësve dhe për të marrë përsëri të njëjtët në punë, pasi kjo ka një kosto administrative dhe një qasje jo shumë pozitive ndaj punonjësve.

“Për industrinë fason sfida mbetet dhe ne jemi duke analizuar se si politikat e e-comerce të ndihmojnë edhe këtë industri. Por deri atëherë po mundësojmë që të ruajmë marrëdhëniet me punën të punonjësve që edhe siguria në punë të jetë”, vuri në dukje ministrja.

Ministrja po ashtu në vizitën e zhvilluar pranë një biznesi fason u shpreh se punonjësit mund të përfitojnë nga kurset profesionale që ofrohen nga AKPA.

“Ne kemi kurse profesionale rrobaqepësie. I kemi madje edhe afër jush. Meqenëse aktualisht kompania nuk punon me kapacitet të plotë, fare mirë mund të organizohet puna në mënyrë që një pjesë e stafit të ndjekë kurset profesionale”, u shpreh Denaj.

Denaj po ashtu ftoi biznesin të aplikojnë për garancinë sovrane të vendosur nga qeveria për kapital qarkullues për bizneset që hasën vështirësi gjatë situatës së COVID-19.

“Kemi nevojën e hapit tjetër. Qeveria ka mundësuar edhe garancinë sovrane për kapital qarkullues, në të cilën 60% e kolateralit e vëmë ne si shtet. Për të përfituar nga kjo garanci biznesi ka afat 90 ditë”, u shpreh ministrja.

Më tej, Denaj tha se në mënyrë të vazhdueshme qeveria do të garantojë pjesën e munguar të kolateralit të biznesit nëpërmjet këtyre skemave të garancisë. /a.gjonaj//a.a/