Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja thirri mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurisë ku temë kryesore e diskutimit ishte menaxhimi i situatës së krijuar nga pandemia Covid 19. Duke bërë një informim të të gjithë punës së kryer në këto muaj, Kryetari i Bashkisë falenderoi të gjitha strukturat dhe faktorët të cilët kanë bashkëpunuar fort për menaxhimin e kësaj situate dhe në mbrojtjen e jetëve të njerëzve.
Kryetari i Këshillit Bashkiak gjithashtu shprehu vlerësimet për punën e bërë në këtë kohë të vështirë duke bërë apel në mos uljen e vigjilencës.
Drejtoria Vendore e Policisë e vuri theksin në një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve përsa i përket bashkëpunimit me policinë dhe me strukturat e tjera vendore.
Ndërsa në emër të Qendrës së Bashkëpunimit ndërfetar Arben Ramkaj bëri apel për rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve sidomos për sa i përket drogës dhe krimeve.
Periudha e pandemisë dhe sidomos karantina krijuan problematika të theksuara përsa i përket dhunës në familje. Forumi i Gruas në Elbasan në raportimin e tij tha se janë shtuara rastet e këshillimit psikologjik.
Këshilli i Sigurisë caktoi edhe objektivat për periudhën në vijim ku detyrë kryesore do të jetë ndërgjegjësimi qytetar për respektimin e protokollit të sigurisë për t’u mbrojtur nga covid 19.