ATSH/ Më 23 korrik të vitit 1649 lindi në Urbino të Italisë, Gjon Françesk Albani, apo Papa Klementi XI, i mbiquajtur Albani.

Klementi XI ishte një figurë e rëndësishme e Kishës Katolike në fillim të shekullit XVIII. Ai vinte nga familja Albani, një familje fisnike me prejardhje nga Arbëria, e cila ishte vendosur në Itali gjatë periudhës së emigrimeve arbëreshe pas pushtimit osman të Ballkanit. Familja Albani ruajti kujtesën e origjinës së saj arbërore dhe pati një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe fetare të Italisë.

Papa Klementi XI, Albani, e drejtoi kishën katolike për 21 vjet dhe rreshtohet i katërti për nga vitet mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piut me 31 vjet, Papa Gjon Palit me 26 vjet. Shërbeu si papë nga 23 nëntori i 1700-ës deri më 19 mars 1721. Gjatë pontifikatit të tij ai u përball me konflikte të mëdha politike dhe fetare në Evropë, përfshirë Luftën e Trashëgimisë Spanjolle dhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes Papatit dhe fuqive evropiane.

Në vitin 1660 pas kryerjes së shkollës fillore Papa Albani shkoi në Romë, për të ndjekur kolegjin romak. Aty studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi dhe në vitin 1670 fillon karrierën kishtare.

Gjatë papatit të tij u mbajt “këshilli i parë fetar shqiptar” në vitin 1703, i njohur si Kuvendi i Arbrit, i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Papa Albani vdiq më 19 mars 1721 në Romë