TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se biznesit të vogël me xhiro deri në 140 mijë dollarë do t’i hiqet tatimi mbi fitimin deri në vitin 2029.

“Kemi një biznes të vogël që mban në punë një numër të konsiderueshëm familjesh, janë njerëz që e krijojnë punën e vet me një kafe, dyqan etj., e që përballojnë tortura me inspektorë, kontrolle e rikontrolle me ata që iu vijnë në emër të shtetit. Ne duam t’ua heqim këtyre këta inspektorë e t’i lëmë të lirë. Por, këta do të kenë marrëdhënien e të qenit roje të shtetit për biznesin e madh, që do të thotë që këta njerëz do të kenë detyrimin për të mbajtur llogaritë në funksion të kontrollit të biznesit të madh, por nuk do të kenë detyrimin për të paguar tatimin mbi fitimin deri në 2029-n”, – deklaroi Kryeministri.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se i ka kërkuar grupit të punës që të heqë edhe TVSH-në për këtë kategori biznesi.

Kjo, sipas tij, do të thotë se nga 110 mijë biznese që numërohen sot në vend, kjo shifër të shkojë në një afat të shkurtër në 220 mijë, sepse tha ai, do të përfitojnë nga kjo masë që nuk ekziston në asnjë vend të botës.

“Shumë shpejt do të ndajmë nëse do të heqim edhe TVSH apo jo, probabilisht po, por është diçka që duhet kalkuluar deri në fund. Dhe 110 mijë biznese që janë sot, do bëhen 220 mijë se do të përfitojnë nga këto masa që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës”, – bëri të ditur Rama.

Kryeministri tha se kjo masë është pjesë e planit të rimëkëmbjes së ekonomisë që po përgatitet dhe që do të prezantohet brenda muajit qershor.

Sipas tij, në funksion të këtij plani do të ndryshojë edhe buxheti i vitit 2020.

ATSH