ATSH/- Deputeti Ervin Bushati, anëtar i Komisionit të Ekonomisë u shpreh se, ka tre mënyra për të dalë nga kriza botërore e shkaktuar nga pandemia COVID-19, të cilat ne po i zbatojmë ato në vendin tonë.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, gjatë diskutimit të Aktit Normativ dhe pr/ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, Bushati tha se, “në radhë të parë politikat monetare kanë qenë në zhvillim dhe janë përpjekur që të injektojnë sa më shumë para dhe të lehtësojnë qarkullimin e parasë në treg, së dyti, politikat fiskale ku qeveria me shumë iniciativa fiskale dhe me Aktin Normativ që miratojmë sot dhe shumë projektligje të reja, po mundëson rritjen e investimeve për të ndihmuar ekonominë të dali nga ky udhëkryq dhe e treta, reformat strukturore”.
Bushati tha se me këto dy projektligje të miratojmë sot përmbushim paketën prej 7 ligjesh të cilat Manivali, ka kërkuar që qeveria shqiptare të ndërmerrë që sektori financiar dhe ai bankar në vend të mund të kenë një performancë sa më të mirë.
Ai tha se, sektori financiar në vend është i mirëkapitalizuar dhe këto dy projektligje që sjellim sot dhe më saktë ai për regjistrin e pronarëve përfitues, të mundësojnë që sektori financiar dhe bankat të kenë mundësinë për të luftuar fenomene siç janë pastrimi i parave apo financimi i terrorizmit.
“Kjo është një nga ato iniciativavee, theksoi Bushati, që jo vetëm na përafron me ligjet e BE-së, por vjen në një moment të duhur për të ndihmuar ekonominë dhe financat shqiptare. e.xh/ /a.g/