ATSH-DPA/ – Ministri polak i Shëndetësisë, Lukasz Szumowski tha sot se zgjedhjet presidenciale duhet të shtyhen për dy vjet për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Mes një debati të ashpër në Poloni mbi datën e zgjedhjeve, Szumowski i tha transmetuesit të shërbimit publik ”Trojka” se ky ishte rekomandimi i tij më i rëndësishëm.
Një president i ri pritet të zgjidhet në Poloni më 10 maj.
Opozita ka bërë thirrje për një shtyrje për shkak të kufizimeve në jetën publike të sjella për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Partia qeverisëse konservatore ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS) është kundër një shtyrjeje.
Kandidati i saj, presidenti aktual Andrzej Duda, është përpara në sondazhe.
Megjithë rekomandimin e tij, Szumowski tha se nuk shihte rrezik të shtuar shëndetësor në rast të një votimi me postë.
Polonia ka 9 453 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 362 vdekje./ a.jor.