/ATSH – I. Vata/- Bashkia Tropojë ka nisur punë për hapjen e rrugëve të bjeshkëve në prag të sezonit turistik.

Kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi tha se Tropoja i ka të pafundme resurset jo vetëm ekonomike por dhe turistike.

“Projekti i ndërlidhjes infrastrukturore të bjeshkëve tona të cilin e iniciova dhe vijova 8 vite me parë do ta vazhdojmë me vendosmëri pasi është një frymëmarrje suplementare ekonomiko-sociale për Tropojën dhe me gjerë. Ndaj nën kujdesin e administratorit të njësisë administrative Tropojë, Ibrahim Hajdari po vijon një punë intensive në këtë drejtim”, tha ai.

Po ashtu, Byberi shton se “pastrimi i rrugës se Bjeshkës nga Pojana në Tellen e Nezajve për të vijuar në Rreshkez, Sylbice e Doberdol, dëshmon vendosmërinë tonë që qytetarët këtë treve magjike të mund të shijojnë me automjete në kushte optimale”.

Bashkia Tropojë është një nga zonat më të preferuara të turizmit malorë, pasi ofron jo vetëm bukuri natyrore por dhe bujtina, hotele dhe kushte të përshtatshme për turistët vendas dhe të huaj.

Bukuritë natyrore nisin me liqenin e Fierzës që gjarpëron mes shpateve nga Vau i Dejës deri në Fierzë, dhe për ta vijuar me gjarpërimin e Valbonës nga Fierza deri në vendburim në “rrënjët” e Malit të Jezercë, që është dhe një nga majat më të larta në vend.

Rrugët e lënë në harrës prej vitesh tashmë do ju shërbejnë banorëve për të eksploruar natyrën e bjeshkëve në Tropojë që janë nga më të rrallat në Rajon.