ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot për standardet e munguara në infrastrukturën rrugore që u trashëgua nga qeverisja e mëparshme e cila sipas tij, “pretendon se bëri 10 mijë km rrugë, por në fakt bëri tendera dhe nuk gjetëm asnjë rrugë të përfunduar”.

“Sot kemi në Rrugën e Kombit shërbim 24 orë gjatë gjithë vitit për mirëmbajtjen. Sot kemi investime që vazhdojnë dhe faktet flasin për një rritje të ndjeshme të sigurisë në Rrugën e Kombit. Ndërkohë që në këtë aks ne do të zgjidhim problemin e madh të krijuar gjatë gjithë viteve të tranzicionit dhe me investimet e tranzicionit, të një rruge kryesore automobilistike në një vend në mes të Europës të cilën nuk e gjen dhe nuk e sheh askund në Europë, ku trafiku kombëtar kalon sikur trafiku i makinave mespërmes një fshati”, tha Rama.

Ai tha se “nga dyja anët e Rrugës së Kombit ka aktivitete nga më të ndryshme dhe hyrje e dalje pa fund”. “Një gjë e  pashembullt, e turpshme për të gjithë ata që e kanë konceptuar, e kanë financuar dhe e kanë propaganduar si sukses çdo investim në atë rrugë. Shto ujë e shto miell, shto metra e shto asfalt dhe faktikisht rrit kërcënimin për humbej jete dhe për plagosje”, tha ai.

Rama tha se “ai nuk është korridor turistik, por është një korridor i rrezikshëm mespërmes një shteti ku duket sikur shteti ka dalë në rrugë dhe ka nxjerrë plaçkat”.

“Natyrisht që ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria ka një trashëgimi të rëndë në aspektin e infrastrukturës. Nëse shohim si është zhvilluar infrastruktura e Shqipërisë nga ajo që konsiderohet rruga e parë e hapur në këtë vend që lidh Manastirin me Korçën, deri në vitet ’90 kemi faktikisht rrugë që janë ndërtuar në kushte pushtimi dhe ripushtimi si akses esencial për llogaritë e lëvizjes së atyre të cilët kanë administruar vendin në periudha të ndryshme dhe pastaj në kohën kur vendi fitoi mëvetësinë e vetë nën një regjim jo demokratik u bë vetëm zgjatimi dhe zgjerim i rrugëve të projektuara në kohë të tjera”, tha Rama.

Ai tha se “faktikisht kemi trashëguar një rrjet rrugor që shkon nëpër kodra e male edhe si rezultat i një paranoje për t’u mbrojtur nga ardhja e shpejtë e pushtuesve imagjinarë. Ajo që sot ne trashëgojmë është një situatë që kërkon një durim të madh dhe stërmundim të madh edhe për faktin se çka u ndërtua më parë nuk u ndërtua në fakt, por u bë sikur u ndërtua. E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, ne jemi i vetmi vend në Europë dhe rajon që mund të shohim një aks si aksi që lidh veriun me jugun me 26 standarde të ndryshme nga fillimi në fund dhe me dhjetëra e dhjetëra situata katastrofike nga fillimi në fund. Nga ana tjetër edhe sot dëgjoj dhe ridëgjoj këngën e ngulitur në mendje se rrugë u bënë përpara, ndërkohë që në këto 7 vite nuk janë bërë rrugë”, tha Rama.

Në fakt, vijoi Rama, “tendera rrugësh u bënë më parë”. “U nisën shumë rrugë, por një të mbaruar nuk e gjetëm. Jo vetëm kaq, por në shumicën prej tyre na u desh të rifillonim projektet nga e para, të rindërhynim nga e para, të ndesheshim me absurditete, me rrëshqitje kodrash se nuk ishin bërë as studime gjeologjike, me diferenca këmbësh urash në rrugën Qukës-Qafë Plloçë që do të rimerret përsëri për ta përfunduar. Një urë që lidh dy anë dhe kishte 17 m diferencë lartësi pikëtakimi. Duke e mbyllur me Rrugën e Kombit, ku përsëri ende sot që flasim nuk ka përfunduar puna dhe ka mangësira dramatike dhe pasiguri të madhe në shumë elementë të saj”, tha Rama.

Kryeministri tha se “është shumë e lehtë të flasësh dhe të gjykosh për shpejtësinë nëse një projekt e konsideron në momentin kur ti shikon fadromat që fillojnë të gërmojmë, por një projekt nuk nis aty”. “Arsyeja pse ne kemi trashëguar këtë katastrofë nga ata që krenohen se bënë rrugë, është sepse nuk bëheshin studime, projekte, për të mos folur për garat të cilat kanë prodhuar nga nisja dhe shuma fillestare e kontratës në përfundim edhe 3-fishin e fondeve të vendosura. Unë i sfidoj të gjithë të më gjejnë një rrugë në Shqipëri ku nga inaugurimi me daulle, tek përfundimi i saj, pjesa e ndërtuar përpara se ne të vinim në qeveri është më e madhe se ajo pasi ne kemi ardhur në qeveri”, tha Rama.

Rama solli në vëmendje bypass-in e Fierit, një segment rruge strategjik që përfundoi vetëm para pak ditësh ndërkohë që ende nuk kanë përfunduar sistemimet dytësore, por aksi është i përfunduar.

“Katastrofë po aq e madhe sa propaganda e daulleve për suksesin kur u tha se u bë. Dilnin dhe na numëronin dhe se bënë 10 mijë km rrugë. Bënë tendera por jo 10 mijë km rrugë. Tendera plot, borxhe, male me borxhe, por përtej borxheve edhe kusurin e madh të projekteve skandaloze”, tha Rama. /a.g/