ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko përgënjeshtroi sot publikimin e lajmit të pak ditëve më parë lidhur mbi një “tender novativ” për një lojë “Mos u nxeh”.

“Lajmi se Ministri i Shtetit për Diasporën ka bërë “tender novativ” për një lojë ‘Mos u nxeh’ është humor për pushuesit”, tha Majko.

Ai informoi se “Ministri i Shtetit për Diasporën nuk ka buxhet ndaj ka ‘fatin’ te mos merret me tendera”.

“Agjencitë përgjegjëse për diasporën, në rastin konkret Qendra e Botimeve për Diasporën, e menaxhojnë buxhetin e tyre mbi vendimmarrje te Këshillave drejtues, të cilat përbëhen nga përfaqësues nga ministri te ndryshme. Për ‘lodrën’ dhe ‘lodërtarët’ e lojës në fjalë Qendra e Botimeve ka dhënë një sqarim publik qe prej katër ditësh në faqen e saj”, theksoi ministri.

Sipas tij, “loja ‘novative’ është veç një program plotësues i mësimdhënies në diasporë për fëmijët”.

“Me sa duket, ja vlen të organizohet edhe një lojë tjetër “MOS U MERZIT MOTËR”, tha ministri.

Më herët, Qendra e Botimeve për Diasporën reagoi mbi lajmin e rremë, duke theksuar se loja “Mos u nxeh” është pjesë e koleksionit me mjete didaktike të hartuara nga Organizata jofitimprurëse “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, dhe bën pjesë në koleksionin “E ka kush e ka”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit kombëtar “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”.

Ky koleksion synon, që nëpërmjet një serie libërthash dhe lojërash, të përfshijë fëmijë dhe të rritur në zbulimin dhe rizbulimin e trashëgimisë kulturore, si një urë lidhëse me botën që na rrethon. Koleksioni përfshin lojën “Mos u nxeh”, përmes së cilës jepet informacion mbi gjuhën, trashëgiminë kulturore, gjeografinë dhe historinë e qyteteve kryesore të Shqipërisë.

Koleksioni është hartuan me specialistë të trashëgimisë kulturore dhe në bashkëpunim me institucionet kulturore në vend.

Koleksioni “Mos u nxeh” është shpallur në vitin 2018 fitues i konkursit “Historitë Europiane të Trashëgimisë”, organizuar nga Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian./m.m/ /a.g/