Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet dhe për stafin spitalor të spitalit Covid2 “Shefqet Ndroqi”, pas skandalit që shpërtheu pak ditë më parë, ku një prej sanitareve i mori 8 milion lekë vajzës së një pacienteje me Covid-19.

Prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë së spitalit, për të parë se me cilët persona kishte komunikim me Tire Alldervishin, pasi ajo nuk punonte si sanitare në pavionin ku ishte e shtuar pacientja me Covid-19, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë, shkruan newsbomb.al.

Gjithashtu, organi i akuzës ka sekuestruar dhe librin e shërbimeve për të parë se si ishin të ndarë turnet, dhe cilët mjekë e infermierë kishin për detyrë të kujdeseshin për mamanë e vajzës që i dha Tires plot 8 milion lekë. Në fakt, sanitarja Alldervishi i ishte prezantuar vajzës së pacientes si infermiere.

Edhe gjatë seancës në Gjykatë ku u dha masa e sigurisë “Arrest në burg” për 58 vjeçaren, gjykatësja i kërkoi prokurorit Bledar Valikaj që të hetoi këtë rast, nëse bëhet fjalë për nëj skemë të mirëfilltë zhvatje dhe mashtrimi që mund të jetë bërë edhe ndaj pacientëve të tjerë, apo është një rast i izoluar.

Prokuroria e Tiranës ka marrë dhe kartelën e mjekësore të pacientes, për ta krahasuar mjekimet që asaj i janë dhënë me ilaçet që Tirja i kërkonte vajzës së viktimës, Eltjana Sinanaj. Nga kartela pritet të vërtetohet nëse pacientes që ndërroi jetë i janë dhënë të njëjtat medikamente, që sanitarja i ka kërkuar vajzës së saj, shkruan newsbomb.al.

Nga ana e Prokurorisë po hetohen dhe disa denoncime që janë bërë në media, se kanë paguar për të futur ushqime apo celeularë brenda spitaleve Covid-19, për familjarët e tyre që kanë qenë të shtruar. Madje, nga spitalet Covid disa pacientë janë vetëflijuar, dhe për këto raste ka procedime të hapura nga organi i akuzës.

news bomb