Rreth 1000 punonjëse të fabrikës së peshkut “Rozafa Fish City” në Elbasan i janë përgjigjur shqetësimit të ngritur nga banorët e Labinot Fushës gjatë ditëve të shkuara ku të indinjuara ato u shprehën se një grup i vogël banorësh të kësaj zone janë duke akuzuar padrejtësisht pronarin e këtij biznesi dhe si rrjedhojë kanë shkaktuar edhe shqetësim të vazhdueshëm tek to.

Përsa i përket ndotjes që pretendohet nga banorët që mbetjet derdhen në lumin Shkumbin administratorja e firmës sqaron se ato janë të padëmshme dhe vendi ku bëhet derdhja është në pronësi të firmës dhe kjo është zgjidhje momentale. Nga ana e tij pronari i “Rozafa Fish City” Gjergj Luca i cilëson këto sulme si politike për të dëmtuar imazhin e një biznesi i cili është duke ndihmuar mijëra njerëz.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar lidhur me protestat ndaj kompanisë Rozafa në Elbasan. Përmes një postimi në rrjetin social facebook numri dy i PS-së, Balla deklaron se sulmi i turpshëm politik i Partisë Demokratike ndaj kompanisë Rozafa, është rast i përsëritur. Sipas Ballës, në këto kohë të vështira kur çdo prodhim “made in Albania” duhet mbrojtur, kjo lloj qasje anti-shqiptare e lidershipit rrugë-humbur të PD që gënjen ditën për diell duhet të ndalojë menjëherë.

“Sulmi i turpshëm politik i Partisë Demokratike ndaj kompanisë Rozafa, është rast i përsëritur i politikës së haraçit të sojit “Lucky” Luçiano. Në këto kohë të vështira kur çdo prodhim “made in Albania” duhet mbrojtur, kjo lloj qasje anti-shqiptare e lidershipit rrugë-humbur të PD që gënjen ditën për diellë duhet të ndalojë menjëherë” shkruan ai. Pak ditë më parë një grup banorësh me në krye ish-deputetin Luçiano Boçi u ngritën në protestë kundër fabrikës së peshkut “Rozafa” duke e akuzuar për pronat dhe si ndotës të ajrit dhe lumit Shkumbin.