ATSH/ Forcat ushtarake amerikane dhe shqiptare pjesë e stërvitjes “Defender Europe 2021”, po zhvillojnë sot një ditë të hapur për publikun në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore.

Me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar,  po demonstrojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë. Në këtë stërvitje janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në këtë aktivitet në emër të qeverisë shqiptare u shprehu mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në stërvitjen “Defender Europë 21”, të cilën ai e cilësoi si domethënëse për nga përmasat dhe për nga mesazhi i saj.

“Njëkohësisht dëshiroj që përveç dhe përtej mirënjohjes për të gjithë djemtë dhe vajzat me uniformë që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe që në të njëjtën kohë përbëjnë edhe garancinë e sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe përkushtimin e sakrificat e tyre, t’u shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre që sakrifikojnë çdo ditë, që janë të parët që preken nga emocionet jo të vogla e jo të rralla të përfshirjes të pjesëtarëve të tyre në Forcat e Armatosura, për të cilët jo çdo ditë është e qetë dhe jo çdo kohë është e sigurt”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij edhe për të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje nga SHBA dhe vendet e tjera.

“Dua t’i bëj një falenderim të posaçëm përfaqësues së qeverisë së SHBA në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim, e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë, qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse, qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona të drejtësisë”, deklaroi kryeministri.

“Besimi që SHBA kanë treguar në vijim te ky partneritet dhe aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake “Defender Europe 21 “, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë”, tha Rama.

“Dua të nënvizoi edhe faktin që ndërkohë edhe vet kjo shfaqje e bukur apo ekspozitë, siç e quajti ministri i Mbrojtjes, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të vijnë e të vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal, nuk do të ishte e tillë sot, nëse nuk do të kishte qenë në vijimësi mbështetja e SHBA për rritjen e vazhdueshme e të qëndrueshme të kapaciteteve të ushtrisë shqiptare, sa në aspektin e rritjes cilësore të burimeve njerëzore, aq edhe në aspektin e modernizimit të forcave tona të armatosura me mjete dhe logjistikë të fjalës së fundit”, u shpreh kryeministri.

Unë, vijoi Rama, kam shumë besim, edhe bazuar në bisedat me gjeneralët që na nderuan me praninë e tyre me hapjen e kësaj stërvitje, por edhe në bashkëveprimin e vazhdueshëm me ambasadoren e SHBA se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të FA-së, duke krijuar kështu një hapësirë shumë tërheqëse edhe për të materializuar atë thirrje të ministrit të Mbrojtjes për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë do e shohin adresën e FA-së, si një mundësi të artë për formimin e jetën dhe për jetën e tyre pas shkollimit.

Rama theksoi se, “krijimi në Shqipëri i një kapaciteti të ri akademik në funksion të rritjes së së kapaciteteve njerëzore të FA-ve në partneritet me SHBA është objektivi dhe misioni i përbashkët i qeverisë së Shqipërisë dhe i përfaqësisë së SHBA këtu në Shqipëri”.

Në mbyllje Kryeministri Rama tha se kjo stërvitje nuk do të përmbyllë ndikimin e Shteteve të Bashkuara në Forcat e Armatosura të vendit, por do të jenë një pikënisje e re për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Unë jam shumë falenderues dhe mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të jashtëzakonshëm aspak të lehtë të Forcave tona të Armatosura dhe me bindjen e plotë që kjo stërvitje nuk mbaron në aspektin e influencës së saj në FA–të tona me mbarimin e afatit të përcaktuar, por do vazhdojë të influencojë moralisht të gjithë ushtarakët tanë, uroj që miqësia e madhe mes Shqipërisë dhe SHBA-ve të jetë e përjetshme dhe ashtu siç tha ambasadorja ne të vazhdojmë të jemi krah për krah sot, nesër dhe gjithmonë,” përfundoi Rama.

Meta: Shkëmbimi i eksperiencës mes FA dhe atyre të SHBA do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen

Presidenti Meta në fjalën e tij theksoi se kjo stërvitje do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen.

“Është kënaqësi e veçantë të jemi sot së bashku në këtë Shesh, që mban emrin e Shenjtores së madhe shqiptare ”Nënë Tereza”, për të demonstruar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të stërvitjes më të madhe me trupa organizuar dhe zhvilluar ndonjë herë në vendin tonë dhe Ballkan, në shërbim ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë”, tha Meta.

Ai shtoi se, “operacionet trajnuese në det, ajër dhe tokë kanë qenë të suksesshme dhe kanë realizuar të gjithë objektivat e planifikuara deri më tani duke spikatur veçanërisht në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë midis trupave”.

“Vlerësoj lart nismën, organizimin dhe zhvillimin e kësaj stërvitjeje të rëndësishme në vendin tonë. Mbështetja dhe shkëmbimi i eksperiencës mes Forcave tona të Armatosura dhe forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera aleate dhe mike do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen”, u shpreh Meta.

“Jam i lumtur që pushteti lokal dhe popullsia e zonave të përfshira brenda rajoneve të zhvillimit të stërvitjeve kanë shpalosur dhe një herë mikpritjen dhe bujarinë tonë tradicionale”, shtoi ai.

“Kam bindje e besim të plotë se dhe pjesa e mbetur e finalizimit të kësaj stërvitjeje të madhe me trupa do të vazhdojë të jetë e suksesshme me angazhim të plotë të të gjithë aktorëve në arritjen e objektivave të përbashkëta”, tha Meta.

“Shpreh falënderimet më të përzemërta për kontributin dhe mbështetjen e SHBA dhe vendeve tjera aleate dhe partnere që zgjodhën vendin tonë si vend pritës, për organizimin dhe zhvillimin e kësaj stërvitje tepër të rëndësishme”, u shpreh Meta.

“Si vend anëtar i NATO-s, ne ndjehemi të vlerësuar për këtë fakt. Sikundër kam theksuar dhe në hapje të kësaj stërvitjeje, NATO është aleanca më e madhe e lirisë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj është unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni ynë europian”, theksoi Meta.

“Përgëzoj Forcat tona të Armatosura për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar dhe i inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale për të qenë gjithmonë të gatshëm dhe në përgjigje të situatave dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe të angazhimeve në kuadër të NATO-s”, – u shpreh Meta.

Peleshi: Të rinjtë të shohin FA si një mundësi të artë për karrierë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u bëri thirrje të rinjve që të shohin Forcat e Armatosura si një “mundësi të artë” për karrierë. Ministri Peleshi tha se “Defender 21” ka qenë mundësia më e madhe e për të testuar kapacitetet ushtarake të vendit tonë.

“Sot është një ditë e hapur e stërvitjes Defender 21, më e madhe e zhvilluar në dekadën e fundit në Ballkanin Perëndimor . Sot e kemi sjellë këtë stërvitje në zemër të Shqipërisë në zemër të Tiranës, për ta sjellë atë para qytetarëve e për të treguar përmasën civile që e gjithë përpjekja jonë ushtarake ka, si Shqipëri, si aleate e NATO-s dhe përkrah SHBA. Kjo përpjekje ka për qëllim të mbajë paqen, të forcojë demokracinë, të na bëjë të flemë të qetë e të jemi më të sigurt për të ardhmen. U kemi dhënë sot mundësi qytetarëve që ta prekin me dorë se çfarë do të thotë të jesh krenar që je shqiptar. Pas 12 vitesh anëtarësi në NATO, sot ka qenë mundësia më e madhe e historisë tonë për të testuar veten dhe kapacitetin tonë. U bëj ftesë të rinjve ta shohin në karrierën e tyre si një mundësi të artë pjesëmarrjen pranë Forcave të Armatosura”, tha Peleshi. /a.a/