ATSH- A. Fortuzi/  “Vizitë përkujtimore” përgjatë lumit Gjanica, që po të ishim sot në 9 janarin e vitit 2013 do ta kishte kthyer zemrën e Fierit në një kënetë pisllëku, siç ndodhte jo vetëm pas reshjesh aq të dendura sa ditët e fundit, po pas çdo shiu vere, kur Gjanica e bllokuar nga pisllëku i mbledhur në vite mes dy varganëve të ndërtimeve pa leje në anët e saj, transformohej në një monstër uji që hynte në çdo shtëpi e biznes, duke bërë dëme shumë milionëshe”,- kështu shprehet Kryeministri Edi Rama teksa ka inspektuar sot punimet për rehabilitimin e Lumit Gjanica, faza e parë e të cilit ka përfunduar.

“Ky është dallimi mes vizionit dhe verbërisë, dashurisë për vendin e njerëzit dhe llafollogjisë boshe mbi plehun e përtacisë”,- thekson Rama, i shoqëruar nga Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

“Kjo është faza e dytë për zgjerimin e shtratit të lumit. Është parashikuar që shtrati i lumit të jetë me beton, të mos ketë problem me shkarjen e dherave. Skarpatet e tjera do kenë gurë dekorativë. Ky segment është 2 km, që do rehabilitohet ky lum, ashtu siç ka ndodhur në segmentin e parë”- tha kreu i Bashkisë së Fierit, Subashi.

“Kjo me reshjet që kishim dje, uji do ishte sot në katin e dytë, po të mos ishte vendosur dorë”,- tha Kryeministri Edi Rama. “Deri në kat të dytë do ishin të mbuluar. Ikja e ujit do ishte me ditë”,- shtoi Rama. “Gjanica në çdo shi që binte dilte nga shtrati, katër apo pesë herë në vit”,- tha Rama më tej.

“Dilnin jashtë loje me orendi, me banesa, ndodhte katër herë apo pesë herë në vit. Këtë javë kemi folur me Ministrin e Mbrojtjes dhe do ndërtohet një urë “Bailey”, tek zona ku jemi, që do jetë provizore deri në ndërtimin e urës së re, moderne. Projekti është gati. Edhe më tutje është një urë “Bailey”, e kemi vendosur para tre viteve”,- tha Subashi.

“Kjo është vizitë përkujtimore në një ditë që mund të ishte 9 janar 2013 dhe do kishte qenë këtu për të ardhur me varkë, ndërkohë që urdhëro shikojeni!”,- shton Rama. “Atje tek ajo godinë ku është viza më suva të bardhë, aty tek viza do ishte niveli i ujit. Shikoni çfarë i ka bërë uji asaj pjese dhe shikoni tani si u rregullua. Kjo pjesa këtu s’ka përfunduar ende. Tani janë shpronësimet e Shaban Memisë, që ndërtonin pajën demokratët e Shabës dhe merrnin firmat e pronës sikur të ishte prona e Shabës, e sot paguajnë gjithë shqiptarët për këtë”,- u shpreh Rama.

“Këtu duhet të bëhen shpronësimet. Presim të bëhen shpronësimet dhe të vijojmë me pjesën tjetër për të përfunduar kompletë fazën e parë”,- u shpreh Subashi.

“Sheshi këtu do të bëhet fantastik, me zona pushimi për banorët e zonës, lulishte..etj. Ka dhe një parkim për të gjithë pjesën e qendrës tek kjo zona. Ky është parkim i Bashkisë që do t’i marri të ardhurat Bashkia. Çdo gjë do jetë elektronike”,- bënë të ditur Subashi.

“Më 9 janar të 2013 do ishim me komardare këtu”,- përsëriti Rama, duke kujtuar transformimin rrënjësor të zonës. /a.a/